Drejtoresha e Burimeve Njerëzore, Kristin Cabot, ka reaguar për herë të parë pas skandalit që shpërtheu kur u pa në momente afërsie me ish-CEO-n e martuar të Astronomer, Andy Byron, gjatë një koncerti të Coldplay në Boston.
53-vjeçarja e cilësoi ngjarjen si një “gabim të çastit”, duke pranuar se kishte konsumuar alkool dhe ishte sjellë në mënyrë të papërshtatshme. Ajo deklaroi se ka marrë përgjegjësinë e plotë, duke sakrifikuar karrierën e saj.
Në një intervistë për New York Times, ajo pranoi se kishte marrë një vendim të gabuar: “Piva disa pije, kërceva dhe u solla në mënyrë të papërshtatshme me shefin tim. Nuk ishte diçka e vogël. E mora përgjegjësinë dhe sakrifikova karrierën time për këtë. Ky ishte çmimi që zgjodha të paguaj”.
Pas asaj nate, Cabot u bë objekt sulmesh të ashpra në rrjetet sociale, u tall nga figura publike dhe përballet me komente negative edhe nga persona të panjohur në vende publike. Ajo thotë se ka marrë më shumë se 60 kërcënime me vdekje.
Cabot pranoi se ndjente tërheqje për Byron dhe ishte e entuziazmuar ta prezantonte atë me miqtë e saj, por theksoi se deri atë mbrëmje nuk kishin pasur asnjë kontakt intim. Sipas saj, ata konsumuan kokteje, kërcyen dhe shkëmbyen një puthje – për herë të parë dhe të fundit – një veprim që e konsideron të pamenduar dhe për të cilin është penduar thellësisht.
“Dua që fëmijët e mi të dinë se mund të gabosh dhe ta prishësh keq, por kjo nuk do të thotë se duhet të kërcënohesh me vdekje për gabimet e tua”, u shpreh ajo.
Në koncert ishte i pranishëm edhe bashkëshorti i saj, nga i cili ishte ndarë, por ai shoqërohej nga një grua tjetër. Çifti kishte qenë i martuar për dy vjet, ndërsa në kohën kur shpërtheu skandali, ata kishin qenë tashmë të ndarë.
/vizionplus.tv





