Si do të largohet Rama nëse nuk jep dorëheqjen? Shehaj flet në “Të Paekspozuarit”

Cila do të jetë zgjidhja dhe si do të vijojë protesta nëse Edi Rama nuk pranon të japë dorëheqjen?
Kjo ishte një tjetër pyetje drejtuar të ftuarve këtë të martë në studion e emisionit “Të Paekspozuarit” në Vizion Plus, të Ylli Rakipit.
Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi se protestat janë e vetmja rrugë për ta detyruar kryeministrin të japë dorëheqjen.
Pjesë nga biseda:
Rakipi: Rama ka thënë se nuk do të dorëhiqet. Si do të zgjidhet tani?
Shehaj: Që Rama nuk dorëhiqet, nuk është se nuk e prisnim. Ne pamë në Serbi që protestat mund të zgjasin shumë, mund të zgjasin pak, por duhet të zgjasin aq sa për ta rrëzuar. Kuptuam gjithashtu se largohet me zgjedhje. Me zgjedhje është mënyra e vetme që largohen autokratët. Edhe Edi Rama, edhe Vuçiçi ishin të lidhur me oligarkinë, mediat, administratën dhe ishte e pamundur të rrëzoheshin, por faktet treguan se asnjë autokrat nuk i shmanget dot ndryshimit nëse ka një alternativë të besueshme.
Dudushi: Protesta fiton kohezionin dhe krijohet fronti, si dhe qartësohen pikat e përbashkëta, që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor dhe reformat që ndërtojnë një republikë të re. Pyetja është se republika e re vjen pas një platforme të qartë. Urrejtja kalon vetëm në fazën e parë.
Abilekaj: Nëse do të themi nëse do ta heqim Ramën apo jo, është një parashikim i vështirë për t’u bërë. Problemi është se ne jemi larg një lëvizjeje si ajo e Nepalit.




