Presidenti Ilir Meta u shpreh i shqetësuar për rritjen e rasteve me koronavirus ditët e fundit në Shqipëri. Teksa këtë të mërkurë u raportua për 139 të infektuar, Meta tha se qeveria duhet të forcojë masat për sistemin shëndetësor.

“Vlerësoj angazhimin dhe masat e marra deri tani nga institucionet përgjegjëse shtetërore kundër përhapjes së kësaj pandemie të rrezikshme, por ritmet tepër shqetësuese nga dita në ditë të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur dhe numrit të viktimave, shtrojnë nevojën jetike të angazhimit të të gjitha strukturave shtetërore me forca tepër të kualifikuara njerëzore dhe shkencore, veçanërisht me eksperiencë në fushën e epidemiologjisë dhe të higjienës, qofshin jashtë shërbimit aktiv, si dhe mobilizimin e një numri më të madh të reanimatorëve dhe personelit infermier në ndihmë të tyre. Përsëris me forcë thirrjen drejtuar qeverisë për të shtuar buxhetin e sektorit të shëndetësisë, dhe marrjen pa vonesa të të gjitha masave për shtimin e ambienteve të terapisë intensive, për më shumë pajisje dhe gjithçkaje të domosdoshme që duhet për trajtimin e të prekurve”, tha Meta në “Facebook”.

Kryetari i shtetit shprehu ngushëllimet për çdo person që ka humbur një të afërm. Por nga ana tjetër, ai theksoi se përgjegjësia është edhe në dorën e çdo qytetari për të respektuar masat.

“Çdo qytetar duhet të jetë i ndërgjegjshëm në zbatimin e udhëzimeve publike, për mbajtjen e maskave, respektimin e distancimit fizik dhe higjienë maksimale, pasi nënvleftësimi më i vogël, jo vetëm rrezikon shëndetin dhe jetën e tij, por edhe të fëmijëve, të prindërve, të gjyshërve, të fqinjëve dhe të miqve të tij. Është tepër e rëndësishme, veçanërisht në kushtet kur ndodhemi në pikun e sezonit turistik, të tregojmë përgjegjshmëri dhe bashkëpunim maksimal.”

Ilir Meta tha se vetëm kështu mund të kalohet sa më lehtë pandemia dhe mund të pengohet përshkallëzimi i mëtejshëm.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *