Subscribe

Pas vizitës së kryeministrit bullgar në Shkup, shefi i diplomacisë në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani refuzon të japë afate për një zgjidhje të mundshme që do të zhbllokonte procesin e zgjerimit.

 

Ministri i Punëve të Jashtme deklaroi se Shkupi dhe Sofja kanë një përgjegjësi të shtuar në zhvillimin e bisedimeve sepse po mbajnë peng Shqipërinë dhe të gjithë rajonin.

 

BUJAR OSMANI
MINISTER I PUNEVE TE JASHTME, MAQEDONI E VERIUT

“Ne jemi të bllokuar për shkak të kësaj cështje, edhe Shqipëria e gjithë rajoni. Barra e këtyre dy palëve që bisedojnë është shumë më e madhe. Vullnet të mirë pashë, kalendarin e kemi përcaktuar, na mbetet vetëm të vazhdojmë. Fryma pozitive u dëshmua me tejkalimin e ccështjes së parë, e nëse kjo qasje që kemi reflektuar ne, ndiqet edhe nga Bullgaria, do ta zgjidhim shumë shpejt.”

 

Ministri Osmani shtoi se dy kryeministrat e rinj do të hapin një kapitull të ri në normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.

 

“Në takim kishte një kujdes të jashtëzakonshëm për mos prekjen e çështjeve të cilat mundë të jenë sensitive për njërën ose tjetrën palë në mënyrë negative, për shkak se ajo çfarë kemi konstatuar ndoshta edhe pa e diskutuar fare se proceset ishin edhe disa herë peng i opinioneve të krijuara e të ndikuara nga propaganda të ndryshme por edhe njerëz të cilët për interesat e politikës ditore e kanë shfrytëzuar këtë temë për të krijuar një opinion, dhe ne pastaj jemi bërë peng i atyre opinioneve.”

 

Duke u ndalur veçanërisht te çështja e emrit, ministri i Punëve të Jashtme sqaroi se ishte bërë një pengesë shumë e madhe diplomatike që është bërë temë debati edhe në Bruksel.

 

“Kjo vizitë karakterizohet me faktin që u mbyll një temë e rëndësishme që ishte barrë për marrëdhëniet tona bilaterale. Ministritë e jashtme të të dyja vendeve komunikuan me organizatën e kombeve të bashkuara. Kishte një notë për ne në OKB mbi çështjen e emrit dhe kjo na ka penguar të nënshkruajmë marrëdhënie bilaterale, ka qënë debat i madh edhe në Bruksel.”

 

Më 25 janar është planifikuar takimi i përbashkët i dy qeverive në Sofje, ku pritet të ketë rezultate konkrete mbi marrëveshjet e dakordësuara edhe në aspektin ekonomik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *