Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev ka kritikuar BE për mungesën e konsensusit mbi projektin e zgjerimit duke u shprehur se integrimi europian nuk duhet të mbetet peng i çështjeve dy palëshe. Kreu i ekzekutivit vëren se refuzimi i Bullgarisë për të miratuar kornizën e negociatave nuk është në frymën e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.

 

ZORAN ZAEV

KRYEMINISTER I MAQEDONISE SE VERIUT

“Pozicioni ynë është i qartë: ne besojmë se integrimi europian nuk duhet të mbetet peng i çështjeve bilaterale. Negociatat me BE nuk duhet të kthehen në negociata me Bullgarinë. Përparimi ynë në integrimin në BE duhet të varet kryesisht nga reformat e brendshme në lidhje me kapitujt, legjislacionin e BE dhe arritjen e standardeve europiane.”

 

Bullgaria refuzon cilësimin e gjuhës si “maqedonisht” ose „maqedonishte e veriut”.

 

Sipas Sofjes, meqenëse është fjala për një dialekt të bullgarishtes, duhet që ajo të quhet “gjuha zyrtare e Maqedonisë së Veriut”. Por kryeministri Zaev deklarohet i qartë në qëndrimin e tij.

 

“Ne jemi të sigurt në atë që jemi dhe çfarë jemi. Ne gjithmonë kemi qenë maqedonas që flasin maqedonisht, me një ndjenjë të fortë të vendosmërisë që nuk mund të negociohet dhe nuk mund të vihet në dyshim. Identiteti maqedonas dhe vetëdija kombëtare maqedonase janë shprehur gjithmonë shumë si në nivelin shkencor ashtu edhe në atë shpirtëror. Kështu është sot, kështu do të jetë gjithmonë.”

 

Një ditë më parë, ministri gjerman i shtetit për Europën, Michael Roth pas takimit me ministrat e jashtëm të BE deklaroi se progresi me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, është në interesin e vetë unionit dhe synimi është që të dërgohet një sinjal i fortë besueshmërie në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *