Megan Fox shet përmbajtje intime në një platformë për të rritur, bllokohet faqja nga fluksi i lartë i vizitorëve

Aktorja e njohur amerikane, Megan Fox, ka nisur të publikojë përmbajtje provokuese në një platformë me pagesë të ngjashme me OnlyFans, por interesi i lartë i përdoruesve duket se ka shkaktuar probleme teknike, duke bërë që faqja të dilte përkohësisht jashtë funksionit.
Gjithçka nisi të premten, më 9 tetor, kur Fox publikoi një video në Instagram, ku shfaqej e veshur me të brendshme. Më pas, ajo njoftoi hapjen e platformës së re me abonim, ku premton fotografi, video dhe publikime ekskluzive, të cilat nuk do të gjenden në rrjete të tjera sociale. Përdoruesit do të kenë gjithashtu mundësinë t’i dërgojnë mesazhe drejtpërdrejt aktores.
Pak kohë pas publikimit të linkut, aktorja ndau një tjetër mesazh në Instagram, ku bëri të ditur se faqja kishte dalë jashtë funksionit për shkak të numrit të lartë të vizitorëve. “Vazhdoni ta rrëzoni faqen”, shkroi ajo, duke shtuar se ekipi teknik po punonte për ta rikthyer në funksion.

Abonimi në platformën e Megan Fox kushton 19,99 dollarë në muaj, ndërsa përmbajtjet individuale me pagesë variojnë nga 18 deri në 88 dollarë për publikim. Sipas raportimeve të Page Six, aktorja është bashkëpronare e platformës, të krijuar në bashkëpunim me Tim Stokely, bashkëthemeluesin e OnlyFans.



Duke folur për projektin e ri, Fox u shpreh se dëshiron që gratë të kenë më shumë kontroll mbi imazhin, audiencën dhe platformën ku publikojnë përmbajtjet e tyre. Edhe Stokely theksoi se roli i aktores nuk kufizohet vetëm te publikimi i materialeve, por përfshin edhe pjesëmarrjen në vendimmarrjen dhe zhvillimin e platformës.




