Gjatë inspektimit në QSUT, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se po forcohen kapacitetet e pajisjeve jetëshpëtuese në terapinë intensive në spitale, me 265 monitorë të rinj, financim i qeverisë shqiptare.  

“Janë 265 monitorë, 50 prej të cilëve janë multi-parametrikë, janë pajisje të rëndësishme jetëshpëtuese që I shtohen flotës së aparaturave mjekësore në spitale, me qëllim forcimin e kapaciteteve në terapitë intensive, në kuadër të strategjisë sonë të përgjigjes ndaj COVID19, për t’I shërbyer sa më mirë pacientëve”, tha Manastirliu.

Duke vlerësuar punën heroike që po bëhet në shërbimin infektiv në QSUT, Manastirliu u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë masat e vendosura dhe të mbajnë maskën.

Ndërkohë, shefja e Shërbimit Infektiv, Najada Çomo deklaroi se aktualisht shërbimi ka një fluks të shtuar dhe bëri apel për respektimin e rregullave nga qytetarët.

“Kemi shtim të numrit të personave të shtruar dhe natyrisht kemi shtim të pacientëve që kërkojnë ndjekje në terapi intensive. Pikërisht pajisjet me këto aparatura që i ofrohen pacientëve në terapi intensive janë një ndihmesë e madhe që ofrohet për shtimin e përkujdesit. Megjithatë do thosha diçka që, çfarë ne ofrojmë në terapi intensive është maksimumi jonë nga ana profesionale, por popullata duhet të jetë shumë e ndërgjegjshme që liria e një personi shkon deri aty sa nuk cënohet shëndeti i tjetrit. Ju siguroj që virusi tani ka filluar të përzgjedhë çdo grup moshe dhe duke agravuar situatën shëndetësore të tyre. Ndaj thirrja e vetme që mbetet është: Ne jemi në shërbimin tuaj! Kemi shumë muaj që jemi vetëm në shërbimin tuaj, por kini parasysh që edhe ju keni detyrimin për të ruajtur distancimin fizik dhe e dyta mbajeni maskën kudo që jeni sepse janë të vetmet arma që kemi për t’u mbrojtur nga ky lloj virusi”, tha Çomo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *