Presidenti i SHBA Donald Trump thotë se do të ndalojë përkohësisht imigracionin për shkak të koronavirusit. Me anë të një komenti në Twitter, presidenti e quajti shpërthimin e koronavirusit “sulm nga një armik i padukshëm”, dhe përmendi “nevojën për të mbrojtur vendet e punës të qytetarëve amerikanë”.

Preisdenti nuk dha hollësi të mëtejshme, port ha se kjo masë do të merret përmes një urdhri ekzekutiv.

Ndalimi i imigracionit mund të ndikojë tek qindra mijëra vetë që kanë “kartën e gjelbër” që u ofron statusin e qëndrimit të përhershëm në SHBA.

Deri tani Shtetet e Bashkuara kanë numrin më të lartë të rasteve të koronavirusit në botë, me mbi 788 mijë infektime të konfirmuara dhe mbi 42 mijë të vdekur, sipas universitetit Johns Hopkins.

Në muajin mars, administrata Trump mbylli kufijtë me Meksikën dhe Kanadanë për udhëtimet jo thelbësore, si dhe ndaloi hyrjen e çdo shtetasi të huaj që në 14 ditët e kaluara ka qenë në Kinë, Iran apo vendet e Shengenit.

Kufizimi i imigracionit ka qenë përparësi kryesore e zotit Trump, i cili është kritikuar se fillimisht nuk i kushtoi rendësi koronavirusit.

Analistë nga institute Cato, që beson në reduktimin maksimal të rolit të qeverisë në shoqëri dhe ekonomi, thanë në një blog se presidenti gëzon autoritetin për të kufizuar imigracionin për të mbrojtur shëndetin publik.

Departamenti amerikan i Shtetit përllogarit se gjatë vitit fiskal 2019 u miratuan rreth 462 mijë viza imigracioni dhe 577 mijë vetë fituan statusin e rezidentit të përhershëm.

Ndërkohë ekspertë të shëndetit publik paralajmërojnë se veprime të tjera që po ndërmarrin vetë amerikanët mund të ndikojnë në përhapjen e mëtejshme të epidemisë.

Eksperti kryesor amerikan i sëmundjeve infektive Anthony Fauci paralajmëroi protestuesit që kanë mbushur rrugët në shumë qytete duke kërkuar rihapjen e ekonomisë, pa përfillur urdhrat e guvernatorëve për të qendruar në shtëpi, duke thënë se vendi nuk do të rimëkëmbet dot ekonomikisht pa u vënë nën kontroll koronavirusi. Në disa shtete amerikane ditët e fundit ka patur protesta në rrugë kundër guvernatorëve të këtyre shteteve.

Demonstruesit kërkojnë një lehtësim të kufizimeve që kanë mbyllur bizneset dhe kanë çuar në pushimin nga puna të 22 milion njerëzve. Administrata Trump thotë se disa pjesë të vendit janë gati të fillojnë një kthim gradual në normalitet./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *