Ministrja e Arsimit, Besa Shahini deklaroi se duke qenë se hapja e shkollave është shtyrë pa afat, mësimi online duhet të vijojë. Me anë të një video-mesazhi në “Facebook”, Shahini këshilloi mësuesit që gjatë kësaj periudhe të mos mbingarkojnë nxënësit.

 

“MASR do të vijojë me organizimin e xhirimeve të leksioneve që mësuesit po bëjnë gati për arsimin parauniversitar.  Këto do të transmetohen siç kemi bërë katër javët e para në RTSH dhe do të ritransmetohen në kanalin youtube të MASR. Mësuesit do të vijojnë komunikimin e tyre të përditshëm me nxënësit, duke u kujdesur të mos mbingarkojnë nxënësit me koncepte të reja dhe duke u kujdesur gjithashtu për oraret se kur mbajnë këtë komunikim me nxënësit dhe me prindërit e tyre.”

 

Ministrja shtoi se edhe universitetet po kryejnë mësim online. Në këtë pikë, ajo bëri thirrje që ky proces mësimor të zhvillohet për të gjitha lëndët.

 

“Unë bëj ftesë që të kalojnë të gjitha lëndët online, sepse nuk jemi të sigurtë se sa do të zgjasë kjo periudhë kur po punojmë në kushte shtëpie dhe duhet t’i jepet shans secilit student që të mbyllë studimet e veta në kohë.”

 

Shkollat, kopshtet, çerdhet u mbyllën që në datën 9 mars pas regjistrimit të dy rasteve të para me COVID-19 në vendin tonë. Fillimisht hapja e tyre u shty deri në 3 prill. Por të mërkurën ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu bëri me dije se institucionet arsimore do të qëndrojnë të mbyllura pa afat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *