Anëtarë të lartë të kabinetit të presidentit Donald Trump janë përfshirë në një shkelje serioze të sigurisë, gjatë diskutimit të planeve sekrete ushtarake, për sulmet e fundit amerikane ndaj Huthit në Jemen.
Në një gabim të pazakontë, figurat kryesore të administratës Trump, përfshirë zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Mbrojtjes Pete Hegseth, sekretarin e shtetit, Marco Rubio dhe drejtorin e inteligjencës kombëtare, Tulsi Gabbard komunikuan përmes një chat grupi në aplikacionin Signal, pjesë e të cilit ishte edhe një gazetar, kryeredaktori i Atlantic, Jeffrey Goldberg.
Ka qenë pikërisht ky i fundit që ka bërë të ditur lajmin i cili ka nxitur zemërim dhe ka shkaktuar shumë reagime.
Një temë e qartë që doli nga biseda, sipas BBC, ishte edhe mungesa e ngrohtësisë ndaj Evropës.
Zëvendës-Presidenti JD Vance shkroi: “Unë thjesht e urrej të shpëtoj Evropën përsëri”.
Përdoruesi i identifikuar si Pete Hegseth, sekretari i mbrojtjes, u përgjigj tre minuta më vonë: “VP: Ndaj të njëjtën urrejtje me ju për transportet pa pagesë evropiane. Është patetike.”
Kjo nuk është hera e parë që Vance synon Evropën. Në shkurt ai nisi një “sulm” ndaj demokracive evropiane në Konferencën e Sigurisë në Mynih.
Vance akuzoi qeveritë evropiane se po tërhiqen nga vlerat e tyre dhe tha se ato po shtypin fjalën e lirë dhe janë arsyeja e migrimit masiv.
Fjalimi 20-minutësh u prit me kritika të ashpra nga Evropa dhe u etiketua si “i papranueshëm” nga ministri gjerman i Mbrojtjes Boris Pistorius.
Ditë më vonë, Vance së bashku me presidentin Trump patën një bisedë të tensionuar me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i cili vizitoi Shtëpinë e Bardhë.
Evropa nuk ka reaguar ende ndaj mesazheve që janë publikuar nga gazetari Jeffrey Goldberg./vizionplus.tv





