Më 3–4 shtator 2026, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë në konferencën e nivelit të lartë, të organizuar nga Banka Qendrore e Malit të Zi me rastin e 25-vjetorit të themelimit të saj. Konferenca mblodhi guvernatorë të bankave qendrore dhe ekspertë të nivelit të lartë për të diskutuar sfidat me të cilat përballen aktualisht bankat qendrore, në një mjedis të karakterizuar nga zhvillime komplekse dhe pasiguri.
Guvernatori Sejko ishte ftuar si folës në panelin me temë “Besueshmëria, hapësira e politikës monetare dhe përafrimi me BE-në në një mjedis sfidues”, së bashku me guvernatorët e Bankës Qendrore të Bosnjë-Hercegovinës, Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Bankës Qendrore të Malit të Zi dhe Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në fjalën e tij, Guvernatori Sejko theksoi rëndësinë e besueshmërisë së bankave qendrore, duke e vlerësuar atë si një element thelbësor për forcimin e institucioneve dhe për zbatimin sa më efektiv të politikës monetare.
Përvoja e viteve të fundit ka dëshmuar rolin thelbësor të besueshmërisë për ankorimin e pritjeve, ruajtjen e besimit dhe mbështetjen e stabilitetit makroekonomik përballë goditjeve të njëpasnjëshme. Ai nënvizoi se besimi ndërtohet mbi një kuadër të fortë institucional, politika të qëndrueshme dhe komunikim të qartë, transparent dhe efektiv me publikun.
Duke iu referuar përvojës së Bankës së Shqipërisë, Guvernatori theksoi rëndësinë e ruajtjes së një kuadri të qartë të politikës monetare, të ankoruar në regjimin e shënjestrimit të inflacionit dhe të mbështetur nga një regjim fleksibël i kursit të këmbimit. Ai veçoi gjithashtu reformat e ndërmarra për forcimin e qëndrueshmërisë së sistemit financiar, përfshirë përmirësimin e mjedisit të kreditimit dhe modernizimin e infrastrukturës së pagesave, pjesë e të cilit është edhe anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA.
Një tjetër temë e diskutuar ishte përafrimi me kuadrin rregullativ të Bashkimit Evropian dhe ruajtja e stabilitetit makroekonomik e financiar gjatë procesit të reformave. Guvernatori Sejko theksoi se integrimi evropian dhe përmbushja e mandateve të bankave qendrore për ruajtjen e stabilitetit monetar dhe financiar plotësojnë njëri-tjetrin. Harmonizimi me standardet e BE-së kontribuon gjithashtu në forcimin e efektivitetit të politikave të ndërmarra nga bankat qendrore.
Në këtë drejtim, Guvernatori evidentoi disa prej prioriteteve të Bankës së Shqipërisë në procesin e përafrimit me standardet evropiane. Ndër to, ai renditi harmonizimin e kuadrit ligjor me atë të Sistemit Evropian të Bankave Qendrore, përafrimin e kuadrit mbikëqyrës dhe rregullator me standardet Basel III dhe me praktikat më të mira të BE-së, si dhe modernizimin e infrastrukturës financiare. Guvernatori theksoi se anëtarësimi në SEPA përbën një hap të rëndësishëm për integrimin e mëtejshëm të vendit në infrastrukturën financiare evropiane.
Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e zbatimit të platformës TIPS Clone, i cili është një klonim i sistemit evropian të pagesave të shpejta (instant payments) që do të krijojë kursime si në kohë, ashtu edhe në para, për të gjithë konsumatorët, individët dhe bizneset shqiptare dhe pritet të implementohet në vendin tonë deri në fund të këtij viti.
Guvernatori Sejko zhvilloi gjithashtu një takim me z. Mateusz Szczurek, Drejtor i Departamentit Evropian pranë Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Gjatë takimit u shkëmbyen pikëpamje mbi zhvillimet ekonomike dhe financiare në rajon, procesin e integrimit evropian dhe sfidat që shoqërojnë atë.
Në kuadër të pjesëmarrjes në këtë aktivitet, Guvernatori Sejko zhvilloi edhe një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të FMN-së dhe me guvernatorë të bankave të tjera qendrore, ku u diskutua mbi çështje me interes të përbashkët dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.





