Kryeministri Edi Rama në kuadër të takimit “Bashkia që duam” këtë të premte ka qenë në Kukës ku ka prezantuar Safet Gjicin si kandidat për kryetar bashkie.

 

Gjithashtu në fjalën e tij shefi i qeverisë është shprehur se ka ardhur momenti i ndryshimit të madh që kërkon të shoqërohet me ndryshimin në bashki.

 

“Ka ardhur koha që bashkinë të na e jepni ne, si detyrë për të bërë për Kukësin shumë gjëra që nuk janë bërë. Duhen 4 muaj për të marrë leje për spitalin. Qeveria vendos fondin për të ndërtuar një pjesë të domosdoshme që të ndërtohet si infrastrukturë dhe 4 muaj për të marr leje, nuk e kam kuptuar akoma arsyen, por faktikisht kemi humbur 4 muaj. Kandidatin nuk e solla unë e gjetëm mes jush. Ja ku e keni. Po s’fituat kampionatin të paktën fitoni Bashkinë. Nuk e sollëm ne e gjetëm mes jush.”

 

Gjithashtu në fjalën e tij kryeministri Rama ka deklaruar se vendosja e tarifës ne rrugen e kombit ishte nje gabim nga ana e qeverisë, por që me reagimin e qytetarëve edhe gabimi u rregullua.

 

“Për vendosjen e tarifës së rrugës ne ishim gabim ju kishit të drejtë. Ajo që ka rëndësi është që tani Kukësi dhe e gjithë Shqipëria ka një qeveri që gabon dhe reflekton. Duke qenë që përpiqemi të bëjmë sa më shumë punë i kemi të pashmangshëm gabimet. Ai nuk ishte një gabim i vogël sepse futi në siklet njerëzit. Jo të gjithë ata që protestojnë kanë të drejtë, por ju patët të drejtë. Edhe gabimi si ai që nuk ishte i vogël, se shqetësoi dhe futi në siklet një komunitet të tërë, ne jemi të vetëdijshëm për faktin që gabojmë, por jemi këmbëngulës për të bërë më të mirën duke u dhënë të drejtë njerëzve kur kanë të drejtë, jo gjithmonë ata që protestojnë kanë të drejtë por ama kur kanë të drejtë kanë të drejtë dhe në këtë rast më vjen mirë që unë sot e kujtoj faktin që ne reaguam ashtu si duhet.”

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *