Kryesocialisti Edi Rama do të mbledhë sot në orën 10:00 të deleguarit politikë të Tiranës dhe deputetët e qarkut, në vijim të takimeve për organizimin dhe koordinimin e strukturave të Partisë Socialiste në terren.
Takimi i sotëm zhvillohet një ditë pas mbledhjes së zhvilluar në një prej vilave qeveritare në kryeqytet, ku Rama mblodhi drejtuesit politikë të qarqeve dhe ministrat.
Lexo edhe :
Related Posts
Në fokus të diskutimeve ishte zbatimi në terren i dokumenteve “Besa” dhe “Prania Besnike”, si dhe forcimi i kontaktit të drejtpërdrejtë me qytetarët.
Sipas burimeve, strategjia e diskutuar dje parashikon që ministrat, zëvendësministrat, deputetët, drejtuesit e degëve dhe përfaqësuesit vendorë të angazhohen në takime periodike me qytetarët, për të evidentuar problematikat dhe për t’i ndjekur ato në mënyrë institucionale.
Një tjetër element i diskutimeve ishte “Pasqyrë Albania”, që pritet të shërbejë si mekanizëm për regjistrimin dhe ndjekjen e problematikave të raportuara nga qytetarët, deri në zgjidhjen e tyre.
Rama ka kërkuar gjithashtu nga ministrat dhe zëvendësministrat që të ndjekin hap pas hapi çështjet që lidhen me sektorët e tyre. Në mbledhjen e djeshme u diskutua edhe për mekanizma të rinj të ndërveprimit mes qeverisë dhe deputetëve, si dhe për ndryshimet ligjore për “Pasqyrë Albania” dhe progresin e nismës “Shqipëria Sociale”.






