Kryeministri Edi Rama po mban fjalën në mbledhjen e zgjeruar të grupit të Partisë Socialiste, ku krahas deputetëve socialistë marrin pjesë edhe ministrat e kabinetit qeveritar.
Mbledhja zhvillohet në kuadër të diskutimeve mbi mënyrën e përmirësimit të komunikimit dhe ndërveprimit me qytetarët, ndërsa në fokus janë tri nisma të prezantuara më herët nga kryeministri: “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Pasqyrë Albania”.
Këto nisma synojnë të krijojnë një qasje më të drejtpërdrejtë ndaj problematikave të qytetarëve, duke forcuar komunikimin në terren dhe duke mundësuar identifikimin dhe zgjidhjen e shqetësimeve të tyre.
Rama: Një Reformë e tillë ka vlerë vetëm nëse Pasqyra nuk fsheh se sa shëmtuar mund të duket qeveria në një moment të caktuar. Një reformë e tillë ka vlerë vetëm nëse qytetari, gazetari, apo kushdo qoftë mund të përdorin pasqyrën kundër qeverisë. Nëse pasqyra përdoret kundër qeverisë, pasqyra funksionon. Qeveria nuk duhet të zihet me pasqyrën por duhet të merret me veten. Nëse nuk është në gjendje të merret me veten, duhet të hapë krahun. Kjo është detyra e PS ndaj popullit shqiptar. Ndryshe nuk është pasqyrë por tabelë reklamash qeveritare. Transprenca nuk mjafton, kërkon përgjegjësi dhe pa përgjegjësinë transaprenca është kronikë.
Besa është një fjalë shumë e madhe, shumë e bukur, tërheqëse, prandaj e përdorin të gjithë, por përtej impaktit që ka fjala, Besa për ne nuk është thjesht fjala Besë, është akronimi besim, empati, shërbim dhe angazhim. Të gjithë të pranishmit në këtë sallë, këto katër pjesë të sjelljes duhet t’i bëjë vijë të sjelljes. Ndërsa “Prania Besnike” nuk është kalendar elektoral, nuk është një kalendar thjesht partie. Është pjesë e një sistemi që e kthen dëgjimin në kusht dhe kushtin në detyrim për t’u përgjigjur. Problemi ynë nuk ka qenë kurrë që ne nuk kemi ditur të bëjmë takime. Ne kemi qenë aq shumë herë për takime, sa askush tjetër. Do duhen vite që të tjerët t’i mbledhin të gjitha takimet që bëjnë për të arritur në një masë takimesh të përafërta me takimet që ne kemi bërë dhe bëjmë në harkun e një viti.





