Sulm me armë në Paris, një i vrarë dhe katër të plagosur (VIDEO)

Të paktën një person u vra dhe disa të tjerë kanë mbetur të plagosur pas të shtënave me armë zjarri në Paris, mëngjesin e së premtes, 23 tetor.
Sipas mediave franceze, bilanci paraprak është një viktimë dhe katër të plagosur, mes tyre një fëmijë 12-vjeçar dhe dy burra, 29 dhe 49 vjeç. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë që numri i viktimave të rritet.
Autori qëlloi me breshëri nga një automjet.
Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00, kur autori dyshohet se hapi zjarr me breshëri nga një automjet në disa pika të qyteteve Trappes dhe La Verriere.
Të shtënat u raportuan pranë postës së Trappes, në një pikë karburanti, si dhe në afërsi të një kopshti dhe një çerdheje. Të shtëna u dëgjuan gjithashtu pranë stacionit të trenit dhe një farmacie në La Verriere.
Autori u lokalizua dhe u arrestua pak më vonë. Sipas raportimeve të mediave franceze, ai dyshohet se ka përdorur një armë automatike të tipit STEN, e prodhuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Deri më tani, motivet e sulmit dhe rrethanat e plota të ngjarjes mbeten të paqarta.
Kryetari i bashkisë së Trappes, Ali Rabeh, deklaroi se autori qëllonte pa dallim dhe se situata ishte shqetësuese.
Ndërkohë, kryeministri francez Sebastien Lecornu bëri të ditur se forcat e sigurisë dhe autoritetet gjyqësore janë mobilizuar plotësisht.
Prokuroria Kombëtare Kundër Terrorizmit po e monitoron situatën, ndërsa pritet të mësohen detaje të tjera mbi motivet dhe dinamikën e ngjarjes.




