Mbrëmjen e djeshme, shqiptarë nga Shqipëria, por edhe të ardhurit nga Diaspora zhvilluan protestën e radhës para Kryeministrisë.
Protesta e 21-të, u zhvillua në orën 19:00, ku pas disa fjalimesh të pjesëmarrësve, ata bënë marshim rrotull Kryeministrisë dhe Piramidës.
Por një pjesë e protestuesve e kaluan natën në sheshin para godinës qeveritare.
Mëngjesin e kësaj të diele u përballën me paralajmërimin e policisë për paligjshmërinë e bllokimit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Thirrja e bluve për të liruar bulevardin bëri që Kryministria të dëgjonte thirrjen “Rama jepe dorëheqjen” që në orët e para të 21 qershorit.
Protesta e djeshme u cilësua si mbarëkombëtare pasi iu bashkuan shqiptarë nga diaspora.
“Surpriza” e protestës së 21-të, ishte pjesëmarrja e deputetes së pavarur Marjana Koçeku, e cila vetëm 6 ditë më parë, njoftoi largimin nga grupi parlamentar i PS.





