Të enjten, Partia Demokratike e Shqipërisë do të protestojë brenda dhe jashtë parlamentit, duke kërkuar heqjen e imunitetit të ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Deputetët demokratë brenda sallës së Kuvendit do të mbështesin Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe do të votojnë pro kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për të arrestuar ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku, ndërsa jashtë ambienteve të Kuvendit mbështetësit e opozitës do të protestojnë duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Në mbledhjen e grupit parlamentar, kryetari i PD-së, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se do të përdorë mandatet e deputetëve për të asgjësuar sistemin e drejtësisë në vend.
“Mblidhemi në një kohë kur, për të mbrojtur lëkurën e tij, për të mbrojtur krimet që ka kryer, ai vendos t’i mbyllë dyert drejtësisë shqiptare. Vendos de facto asgjësimin e pushtetit gjyqësor. Vendos mburojën e plotë të mazhorancës së krimit apo mandateve të krimit për vjedhjet e tij dhe të qeveritarëve.”
Sipas Berishës, kryeministri Rama, duke mbrojtur Belinda Ballukun dhe duke rrëzuar kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e saj, po bllokon procesin e integrimit. Berisha akuzoi në mbledhjen e grupit kryeministrin se, për hir të pushtetit të tij personal, po dëmton negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimi Evropian, që është pikësynimi i shumicës së shqiptarëve.
“Tani del një Haxhi Qamil. Një apatrid që vetëm pak muaj më parë bërtiste për pasaportën evropiane që do t’u dhuronte shqiptarëve dhe tani u nxjerr pasaportën e Beogradit shqiptarëve në vend të saj. Ky është një akt që vetëdijshëm e shkëput Shqipërinë nga aleatët natyralë, me të cilët e bashkoi në frymë Lëvizja e Dhjetorit 1990 dhe hapat e tjerë të mëtejshëm që u bënë.”
Lideri i opozitës, Berisha, u bëri apel qytetarëve të reagojnë dhe t’i bashkohen protestës para parlamentit, pasi vendi gjendet në situatë të vështirë.
“Edi Rama, pasi ka vjedhur miliarda me organizatën e tij kriminale, tani zhduk edhe Kushtetutën, zhduk shtetin ligjor, i mbyll të gjitha, shkatërron drejtësinë për të mbrojtur lëkurën e tij. Nuk ka ditë më të vështirë për vendin se sa kjo.”
Të enjten, në orën 10:00, parlamenti do të diskutojë kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për t’i hequr imunitetin ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera. Mazhoranca ka deklaruar se do të votojë kundër kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për t’i hequr imunitetin Belinda Ballukut dhe nuk priten surpriza; SPAK-u do të rrëzohet dhe Belinda Balluku nuk do të arrestohet.
/vizionplus.tv





