Ai jep çdo gjë për lirinë, e paguan me çdo çmim, por përsëri ëndrra ndërpritet. Drama e tij, komplekse e plot dhimbje, mbledh të gjitha ndjenjat dhe emocionet, të gjitha dëshirat e planet që përbëjnë edhe simfoninë e jetës së tij. Ajo është domethënia e kësaj jete të mbushur me ëndrra, me dëshira të parealizuara, simfonia e një artisti të ri e të pasionuar që nuk arrin të mbarojë, duke mbetur një simfoni e parealizuar.

 

Kjo është, në pak radhë, historia e Adrian Maras, personazhit të romanit “Simfonia e Pambaruar” të shkrimtarit Grigor Banushi, botuar ditët e fundit nga Shtëpia botuese “Dituria”, që u promovua të mërkurën në sallën e Muzeut Historik Kombëtar.

 

 

Me romanin e fundit, autori i rikthehet viteve të diktaturës, duke nxjerrë në pah represionin dhe dhunën që ushtronte shteti totalitar, me veglën e tij të bindur, sigurimin e shtetit. Romani është jeta e mundimshme, mungesa e lirisë dhe kalvari i një artisti të ri nën kërcënimin e instrumenteve të dhunës që i shërbenin diktaturës komuniste. I nisur dhe i vazhduar me të njëjtin ritëm, në formën e një trilleri mjaft tërheqës, ku në çdo kapitull zbulohen të papritura dhe enigma, autori paraqet idenë se në kushtet e pushtetit monist, jeta e njeriut varet nga të tjerët dhe vetëm mendimi për të qenë i lirë përbënte krim. Në roman jepet qartë ideja se njerëzit, e sidomos artistët që përpiqen të dalin kundër rrymës ndëshkohen rëndë. Ky ndëshkim  i ndjek ata gjatë gjithë jetës dhe dora e hekurt e organeve të sigurimit arrin t’i kapë “armiqtë” edhe kur ata nuk ndodhen më brenda territorit të shtetit komunist, por edhe kur janë bërë qytetarë të lirë të Evropës.

 

Kur lexon romanin “Simfonia e Pambaruar” nuk mund të qëndrosh indiferent dhe të mos i ndjesh ato që ka përcjellë autori dhe që ndjen heroi i romanit. I shkruar me profesionalizëm dhe mjeshtëri artistike, romani “Simfonia e Pambaruar” përcjell mesazhe të forta tek lexuesi. Në roman ka skena të forta, ku dramaciteti arrin kulmin, ka episode tronditëse ku gërshetohet përshkrimi i natyrës me botën e brendshme të personazheve, gjë që bën që lexuesi ta përjetojë dhe ta ndjejë nga afër dramën e heroit dhe personazheve të tjerë.

 

E vendosur në mjedise të larmishme, siç janë rrethet artistike të Tiranës në vitet pesëdhjetë e gjashtëdhjetë, apo ato të një qyteti të vogël në veri të vendit të rrethuar nga malet, romani paraqet koloritin e vendit dhe jo vetëm atë të natyrës, por arrin në shtjellojë edhe ngjarjet dhe situatat e kohës. Romani në një pjesë të konsiderueshme të tij vendoset në vende të huaja si në Francë apo Gjermani, ku autori arrin të ruajë e të tregojë bukur veçoritë e këtyre vendeve dhe personazheve që jetojnë në këto mjedise dhe që lidhen në mënyrë organike me heroin dhe dramën e tij.

 

Megjithë tragjizmin e tij, që vjen natyrshëm si pasojë e dhunës së diktaturës komuniste, romani Simfonia e Pambaruar, është i mbushur me dashuri. Heroi i librit ka dy dashuri, të cilat e shoqërojnë gjatë gjithë jetës, dashuria e përjetshme për muzikën dhe dy dashuritë për të cilat zemra e tij ka rrahur fort, dashurinë e parë, të cilën e la në malet e thepisura me dëborë të atdheut, nga i cili iku, dhe dashurinë e tij të re, e cila i mbush ditët e tij me shpresë dhe u jep frymë ëndrrave të tij për të ardhmen. Përveç dashurisë, lirisë, jetës plot pasion, ëndrra e tij e madhe mbetet simfonia. Ai digjet nga dëshira për ta përfunduar veprën e tij, të cilën e ka nisur që kur ishte i ri dhe punonte me pasion në qytetin e largët verior, e vazhdoi edhe në ditët e tij të vështira e më pas të lumtura të mërgimit, punoi me përkushtimin edhe në kushtet e presionit dhe të përndjekjes, e megjithatë nuk arriti që në partiturën e tij të shkruante fjalën fund.

 

 

Vlen për t’u theksuar  se narracioni tashmë i njohur i Grigor Banushit, si edhe tek romanet “Vdekja e Narcisit”, “Fytyra e djallit” dhe “Mëria e zanave”  është i shtruar, i mbushur me informacion, por me sekretin e shkrimtarit që ta bën të këndshëm këtë informacion e aspak të lodhshëm, me referime muzikore dhe kulturore, që i përshtaten jetës, karakterit dhe punës së personazheve, me peizazhe të Evropës ku jetojnë personazhet dhe me rrezikun e përhershëm që qëndron si re e zymtë përmbi kryet e heroit.

 

“Simfonia e pambaruar” është një tjetër arritje e autorit, ku gërshetohet drama e personazhit kryesor, një artist i zhgënjyer, me trillerin psikologjik dhe të papriturat që shpalosen në rrëfim. Por, përpos dramës, romani përshkohet nga dashuria dhe humanizmi, nga muzika, ritmi dhe dinamizmi. Ngjarjet e romanit “Simfonia e pambaruar”, të treguara herë në kohë reale e herë në retrospektivë, vendosen në periudha e vende të ndryshme, duke e bërë romanin mjaft tërheqës dhe duke e futur lexuesin në botën e personazheve.

 

“Simfonia e pambaruar”, e Grigor Banushit, është pritur  me interes, madje me entuziazëm nga shumë e shumë lexues e miq të tij, ç’ka dëshmon që ky roman, triller, do të jetë me siguri një sukses për autorin. Ky zhanër letrar, pak i rrahur në letërsinë shqipe, i jepet lexuesit me një rrëfim e teknikë letrare të nivelit evropian. Me siguri ky roman është një shkallë më lart në krijimtarinë letrare të autorit.

 

Ky botim është romani i katërt që Grigor Banushi i paraqet lexuesit. Ai vjen pas romaneve “Vdekja e Narcisit”, botuar nga “Toena” në vitin 1997, “Fytyra e djallit”, “Globus R” 2009 dhe “Mëria e Zanave”, botuar më 2015, nga Shtëpia botuese “Fan Noli” me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *