“Populli flet me anë të votës”, Rama për protestuesit: Kush jeni ju që doni të imponoheni përmes dhunës?!

Kryeministri Edi Rama iu drejtua qytetarëve shqiptarë me një mesazh, ku foli për protestat e fundit të zhvilluara në Tiranë, duke i cilësuar aktet e dhunës si agresion ndaj qytetit, institucioneve, bizneseve dhe policisë.
Në mesazhin e tij drejtuar qytetarëve, Rama u ndal te ajo që e cilësoi si përpjekje të një turme për t’iu imponuar shoqërisë përmes dhunës, duke shprehur shqetësimin edhe për frikën që, sipas tij, këto akte krijojnë te qytetarët e tjerë.
Kreu i qeverisë deklaroi se grupet e përfshira në këto protesta nuk kanë autorizim të flasin në emër të popullit, duke theksuar se është vota ajo që u jep përfaqësuesve mandat për të folur dhe për të vendosur në emër të qytetarëve.
Rama: A është e mundur të pranohet si realitet agresioi i një turme e cila kërkon të na imponohet të gjithëve jo thjesht duke thyer xhamat, por duke thyer çdo normë të bashkëjetesës mes njerëzve në të njëjtin qytet. Kam parasysh të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij agresioni dhe që përjetojnë frikë nga kjo turmë zhurmuesish urbanë dhe përndjekësish online. A mund të na imponohet të gjithëve një turmë e cila pasi ka ardhur me muaj të tërë vërdallë nëpër Tiranë, shpërthen në një furi dhune me gurë dhe me zjarr, kundër qytetit, kundër institucioneve, kundër dyqaneve, kundër policisë.
Kush janë këta dhe në emër të kujt duan t’i imponohen shoqërisë sonë? Janë mbledhur bashkë individë dhe grupe sociale, parti politike që s’kanë lidhje me njëra-tjetrën. Askush nga ne nuk është populli përveç vetë popullit. Ky grup nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe nuk ka asnjë autorizim për të folur në emër të popullit. Populli flet vetë me anë të votës. Populli i jep mandatet për të folur dhe për të vendosur në emër të tij.




