Zyra e presidentit të Malit të Zi ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj i ka dërguar një mori kërcënimesh dhe mesazhesh të papërshtatshme presidentit, Jakov Millatoviç menjëherë pasi është bërë publike se kreu i shtetit ka kthyer Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme në Kuvend për rishqyrtim.
“Kërcënimet e zëvendëskryeministrit nuk janë çështje politike, por çështje e lirisë, sigurisë dhe dinjitetit të bartësve të institucioneve më të larta dhe të vetë funksionit të Presidentit të Malit të Zi. Nëse Qeveria vazhdon të injorojë veprimet e zëvendësit të saj, lind pyetja nëse institucionet janë të lira të marrin vendime në mënyrë të pavarur, pa shantazhe, kërcënime dhe pa ndikimin e interesave private. Sepse nëse sot i bëhen kërcënime Presidentit sepse ai e kthen një ligj për rishqyrtim, atëherë nesër mund t’i bëhen çdokujt që mendon ndryshe”, thuhet në deklaratën e Kabinetit të Presidentit të Malit të Zi, Jakov Milatoviç.
Kabineti i Millatoviç ka thirrur kryeministrin Millojko Spajiç duke i kërkuar që ta shkarkojë menjëherë Gjeloshajn.
“Presim që institucionet përkatëse të reagojnë menjëherë, në përputhje me detyrimet e tyre sipas Kushtetutës dhe ligjeve të Malit të Zi. Kërkojmë nga kryeministri që pa vonesë ta shkarkojë zëvendëskryeministrin. Çdo minutë heshtjeje në këtë moment është një mesazh se kërcënimet janë të lejuara”, vijon deklarata.
Nga ana, yjetër, zëvendëskryeministri Nik Gjeloshaj i ka hedhur poshtë akuzat si “gënjeshtra të rënda”, duke deklaruar se asnjëherë nuk ka kërcënuar presidentin Milatoviç.
“Me indinjatë të thellë e hedh poshtë si një të pavërtetë të rëndë deklaratën e presidentit të rastësishëm Jakov Milatoviq dhe me përgjegjësi të plotë i bëj të ditur opinionit publik se është një gënjeshtër e madhe që unë e kam kërcënuar atë. Mesazhet që mbeten si gjurmë të komunikimit janë dëshmia më e mirë për këtë”, deklaroi Nik Gjeloshaj.
Gjeloshaj tha se Millatoviç është duke tentuar t’i përdorë akuzat për të tërhequr vëmendjen nga tema kryesore, e ajo është që presidenti ka refuzuar të nënshkruajë Ligjin për tatimin mbi pasurinë e paluajtshme.
Ai ka pretenduar se presidenti nuk ka pranuar të firmosë, për shkak të “lidhjeve të tij me Nebojsha Vuksanoviqin, ish-presidentin e Bordit të Drejtorëve të kompanisë Plantacionet, me qëllim përfitimin personal për vete dhe për të”.
Ndërkohë në disa mesazhe që janë publikuar nga Millatoviç në rrjete sociale ai i ka thënë Gjeloshajt se nuk do të dorëzohet ndaj presionit kur bëhet fjalë për Kushtetutën, dhe se do të respektojë ligjin dhe interesat e qytetarëve dhe shtetit.
Më pas Gjeloshaj i është përgjigjur duke i shkruajtur: “Nuk duhej të ishe futur në këtë punë dhe të prisje një reagim nga shqiptarët në të gjitha nivelet dhe kudo ku kemi ndikim”.
Në vazhdimin e bisedës, ai i ka thënë Millatoviçit: “Do ta marrësh përgjigjen që meriton”./vizionplus.tv





