PD thotë se organi I akuzës ka gënjyer për gjurmët e gishtërinjve të Agim Kajmakut dhe kërkon transparencë për veprimet e Prokurorisë për çështjen e kryebashkiakut të Vorës.

 

Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë dokumentacionin e plotë për çështjen e verifikimit të Agim Kajmakut, sipas saj, i arrestuar dhe i kërkuar në Greqi me emrin  Jorgo Toto për një krim që dënohet me 10 vjet burg.

 

Në këtë mënyrë Partia Demokratike kërkon të njihet me çdo veprim të prokurorisë që nga data e dorëzimit prej saj të kërkesës së verifikimit në 20 Gusht deri në 5 Shtator.

 

 

Letra e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, thotë se Prokuroria ka gënjyer kur deklaron se  Agim Kajmaku nuk ka dorëzuar akoma gjurmët e gishtërinjve, përtej afatit 5 ditor të përcaktuar nga ligji, sepse, siç u shpreh prokuroria, “shërbimi postar ka ngatërruar adresën e tij dhe ende nuk ka dorëzuar shkresën.”

 

Selia blu thotë se Posta Shqiptare, konfirmoi se dokumenti i prokurorisë është dorëzuar në Bashkinë Vorë.

 

 

Duke iu referuar përgjigjes së Postës, Partia Demokratike thotë se nuk ka asnjë dyshim që shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 Gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator 2019.

 

Partia Demokratike kërkon nga Prokuroria përgjigje zyrtare përse nuk ka zbatuar ligjin për përcaktimin ligjor të dekriminalizmit, që përcakton në nenin 8 se ndaj funksionarit që nuk dorëzon shenjat e gishtërinjve brenda 5 ditëve, zbatohen ndalimi i ushtrimit të mandatit.

 

“A i keni administruar ju provat që përmend Shërbimi Postar në deklaratën e tij zyrtare dhe që provojnë se Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin në datën 29 Gusht? Nëse jo, pse? Nëse po, pse nuk është aplikuar sanksioni i parashikuar në nenin 8 të ligjit?”- janë pyetjet që ngre Partia Demokratike per prokurorine.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *