Raundi i parë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës do të zhvillohet pasditen ë 19 prillit.

 

Vendimin e mori Konferenca e Kryetarëve, pas kërkesës së bërë një ditë më parë nga kreu i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci.

 

Në nisje të seancës parlamentare, kryetari i kuvendit meta bëri të ditura detajet.

 

Katër vjet më parë, dy aleatët kryesorë ne qeveri, Rama e Meta, bënë pjesë të marrëveshjes mes tyre edhe zgjedhjen e presidentit të republikës. Konsultimet mes tyre Rama i pohoi edhe në intervistën e dhënë të mërkurën për Vision Plus.

 

Pak orë pas kësaj deklarate, mbrëmjen e të mërkurës, Rama u takua me Metën në zyrën e kryetarit të kuvendit. Në bisedën që zgjati rreth 90 minuta, besohet se është diskutuar pikërisht çështja e presidentit të ri.

 

Si PS ashtu dhe LSI kanë bërë të ditur më herët se kanë emra për ti propozuar për postin e presidentit.

 

Kushtetuta parashikon 5 raunde votimi për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Nëse kandidati nuk merr tre të pestat e votave në tre raundet e para, atëherë ai mund të zgjidhet në raundet e mbetura duke marrë më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të parlamentit.

 

Dështimi me zgjedhjen e presidentit sjellë shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme. Por mazhoranca aktuale i ka votat për ta realizuar këtë proces, pa patur problem me votat.

 

Procedura e zgjedhjes së Presidentit sipas nenit 87 të Kushtetutës:

 

Neni 87 (Ndryshuar me ligjin nr. 9904, datë 21.04.2008)

 

  1. Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.

  2. Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime. Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.

  3. Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.

  4. Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.

  5. Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.

  6. Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *