Kryeministri Edi Rama ka ndarë detaje nga takimi që do të zhvillojë këtë të diel 12 maj në Athinë me shqiptarët e Greqisë.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social në Facebook, Rama njofton se takimi do të nisë në orën 11:00, ndërsa vendodhja do të jetë në stadiumin e Galatsit, salla “Christams Theatre”.

Kreu i qeverisë shqiptare fton të gjithë shqiptarët e Athinës dhe të rrethinave që të marrin pjesë në takimin e 12 majit.

“MIRËMËNGJES dhe me ftesën që më në fund ka edhe adresën, duke i ftuar ata ndër ju që janë në Athinë ose rrethina, e që munden ta kalojnë me ne që vijmë nga Shqipëria këtë moment të veçantë krenarie për të gjithë shqiptarët e Greqisë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në Facebook.

Rama njoftoi pak ditë më parë se do të nisë një tur takimesh me shqiptarët që jetojnë në Greqi, Itali, Gjermani dhe Angli.

Por takimi më i diskutuar mbetet ai në vendin fqinj Greqinë, pasi prej vitit të kaluar marrëdhëniet mes dy vendeve janë të tensionuara për shkak të arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës Fredi Beleri i cili është dënuar nga gjykata e shkallës së parë për akuzën e blerjes së votave në zgjedhjet lokale që u zhvilluan në 14 maj të 2023./vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *