Subscribe

Partia Demokratike argumenton ligjërisht veprën penale, që kjo forcë politike pretendon të ketë konsumuar kryeministri Edi Rama, për realizimin e fotos me Presidentin Barak Obama në vitin 2012. Opozita akuzon për financim të paligjshëm me 80 mijë dollarë, çka përbën vepër penale edhe sipas legjislacionit shqiptar, për shkak të burimit të paligjshëm e të padeklaruar të kësaj shume. Në analizën ligjore të fakteve, e bërë nga juristët e PD-së, thuhet se kryeministri Rama ka konsumuar konsumuar plotësisht anën objektive të veprës penale të parashikuara nga neni 245/1 të Kodit. Në këtë nen thuhet:

“Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çfarëdo përfitimi të parregullt, për vete ose për persona të tjerë, personit që premton ose siguron se është në gjendje të ushtrojë ndikim të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike, shqiptarë ose të huaj, pavarësisht nëse është realizuar ushtrimi i ndikimit ose kanë ardhur apo jo pasojat e dëshiruara, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet”.

Ekspertët demokratë, sjellin si rast analog atë të ish-kryeministrin rumun Viktor Ponta, i cili është proceduar penalisht nën akuzën për mashtrim dhe pastrim parash në vlerën 55 mijë Euro. Opozita i kujton Prokurorisë se pozita e posaçme shoqërore nuk pengoi Prokurorinë Speciale Antikorrupsion në Rumani, që ta merrte Kryeministrin Victor Ponta nën përgjegjësi penale dhe ta dërgonte për gjykim. Po ashtu, ekspertët demokratë pretendojnë fshehje të pasurisë nga Rama, duke nënvizuar se të ardhurat janë krijuar jo nga një burim i ligjshëm, çka ngre dyshimin se shuma prej 80 mijë dollarësh, mund të jetë siguruar nga një veprimtari e kundërligjshme dhe kriminale.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *