Për herë të parë në Vlorë, një bar kafe që mban emrin “1912”, viti i Pavarësisë tonë kombëtare është hapur nga një shtetas amerikan.
Toni di Lorenzo këtë 113 vjetor të Pavarësisë, e kremton në barin e tij të vecantë. Ai tregon se është shumë i dhënë pas historisë ndërsa për Shqipërinë ka mësuar duke parë materiale të ndryshme të shkruara si dhe video në internet.
Në Vlorë ai ka ardhur me bashkëshorten, pas një eksperience pune 5-vjeçare në Tajlandë.
“Kur erdhëm këtu, mbetëm të mahnitur: mikpritja, kultura, njerëzit, afërsia me gjithçka. Në Tajlandë shpesh ndiheshim të huaj, mbase nga pamja, dhe vinim re që njerëzit krijonin menjëherë distancë. Ndërsa këtu ndodhi e kundërta – që në momentin e parë u ndjemë si në shtëpinë tonë.
Në Vlorë mbërritëm pikërisht në ditën më të keqe të qytetit, më 4 tetor 2024, gjatë përmbytjeve. Qyteti ishte në kaos, me ujë, rrëmujë dhe njerëz që përpiqeshin të përballonin situatën. Megjithatë, edhe në atë moment të vështirë, vumë re diçka shumë të fortë: Vlonjatët kishin energji, solidaritet dhe një potencial të jashtëzakonshëm për mikpritje dhe zhvillim”, thotë ai.
Sipas di Lorenzos, prej tri javësh ata shërbejnë kafe në këtë bar të vogël ku klientët e parë ishin të huaj. Ata janë befasuar me dekorimin e lokalit dhe fotot që gjenden aty.
“Unë u flas për Ismail Qemalin, Isa Boletinin dhe Luigj Gurakuqin, dhe për atë që ata kanë bërë për Shqipërinë. Ata habiten! Por, të them të drejtën, edhe shumë shqiptarë habiten me njohuritë e mia për historinë e tyre. Mua më pëlqen shumë historia dhe përpjekjet e shqiptarëve për liri dhe identitet. Dhe nuk ka vend më të mirë për të folur për historinë sesa në shoqërinë e një filxhani kafeje”, thotë ai.
Edhe bashkëshortja e biznesmenit, është e kënaqur me jetën në Vlorë.
“Vlora është një qytet shumë i bukur. Njerëzit janë shumë të mirë dhe gjithmonë të gatshëm për të ndihmuar. Edhe pse shqipja ime është ende e dobët, ata përsëri duan të komunikojnë me mua, me aq anglisht sa dinë. Kjo më bën të ndihem e pranuar dhe e mirëpritur.
Jam futur edhe në kurs të gjuhës shqipe sepse dua ta mësoj. Planifikojmë të qëndrojmë gjatë këtu dhe dua të jem pjesë e komunitetit, të flas me njerëzit, të kuptoj më mirë kulturën dhe historinë. Për mua, kjo nuk është thjesht një ndalesë – është një shtëpi e re”, thotë bashkëshortja.
Çelja e barit 1912 në Vlorë nga dy shtetas amerikanë përkon me 113 vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.





