Këtë të premte është çelur zyrtarisht procesi i regjistrimeve të maturantëve në universitetet publike dhe private të vendit.
Maturantët që janë shpallur fitues në raundin e parë janë drejtuar pranë sekretarive të universiteteve përkatëse me dokumentet e nevojshme për regjistrim.
Ata thonë se procesi është i thjeshtë, megjithatë disa prej tyre kanë hasur vështirësi dhe mungesë informacioni.
“Një proces i lehtë dhe ndihem shumë mirë se arrita atë që doja”, tha një student.
“Nuk mund të them se kanë qenë shumë korrektë me informacionin që na kanë dhënë, mendoj që duhet t’i kishin thënë paraprakisht, jo në çastin kur bëjmë regjistrimin”, u shpreh një student.
“Nuk ishte e vështirë, vetëm se ishte pak e gjatë. Ishim të njoftuar për të gjitha, jo në rrjete, jemi njoftuar këtu”, tha një tjetër.
“Stomatologjia ka qenë dhe financa, por zgjodha administrim biznesi. Më pëlqen, kam pasur prirje që e vogël”, tha një student.
Regjistrimet do të vijojnë çdo ditë, edhe gjatë fundjavës dhe procesi për këtë raund do të mbyllet më 11 shtator. Ndërsa maturantët të cilët janë në pritje do të kandidojnë me të njëjtat preferenca të zgjedhura edhe në 6 fazat e tjera në vazhdim.
Të rinjtë të cilët nuk arrijnë të regjistrohen në këtë fazë fshihen nga lista automatikisht duke lënë vend për të tjerët.
Ajo çfarë duhet të mbahet në vëmendje është kontrolli i portalit U-Albania për çdo përditësim. Nëse dega e preferuar e kandidatit shfaqet në ngjyrë të verdhë në këtë fazë, do të thotë se është fitues, por duhet të presë fazën e radhës për tu regjistruar.
Në degët më të preferuara nga studentët, regjistrimet kanë qenë të larta që në ditën e parë, prandaj pritet që ky proces të përmbyllet brenda tre fazave të raundit të parë.





