Pasditen e sotme Kuvendi rinis punën pas pushimeve të fundvitit. Fillimisht në orën 11 do të mblidhet konferenca e kryetarëve, e cila do të diskutojë se cilat ligje Parlamenti do të miratojë në 3 javët e ardhshme.
Ndërkohë që pasdite në orën 17.00 do të mbahet seance plenare.
Në këtë seancë të parë për këtë vit, nuk janë përfshirë ligje për tu miratuar, por është parashikuar që nisja e sesionit të shoqërohet me fjalën e kryetarit të parlamentit Niko Peleshi dhe kryetarëve të grupeve parlamentare.
Megjithatë edhe pse kjo seancë ka karakter kryesisht ceremonial, mbledhja e parlamentit pritet të mbartë konfliktet politike që pati mbledhja e parlamentit në fund të vitit të shkuar.
Partia Demokratike ka vendosur se nuk do të ketë normalitet në kuvend derisa të shqyrtohet kërkesa e SPAK-ut për heqjen e imunitetit të numrit 2 të qeverisë Belinda Balluku.
Opozita kërkon miratimin sa më parë të kërkesës së SPAK-ut për zëvendëskryeministren Balluku, por kryetari i Kuvendit Niko Peleshi ka vendosur që mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve të zhvillohet në datën 28 janar.
Ndaj javët e ardhshme më shumë se sa për ligjet, pritet që parlamenti të përfshihet në debate për SPAK-un dhe kërkesën e tij për arrestimin e numrit 2 të qeverisë Balluku.
Në 16 dhjetor Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar e Korrupsionit i kërkoi Parlamentit autorizim për arrestimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila po hetohet për akuzën e shkeljes së barazisë në tendera.
Ende është e paqartë se si do të sillet mazhoranca socialiste ndaj kësaj kërkese, por vetë kryeministri Edi Rama ka sqaruar se vendimi do të merret pasi Gjykata Kushtetuese të shprehet për masën e parë të sigurisë ndaj Belinda Ballukut, pezullim nga detyra./vizionplus.tv





