Elbasani është kthyer sërish në kryeqendrën e artit skenik. Për të 27-in vit radhazi, Teatri “Skampa” hapi dyert për Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit, një traditë tashmë e konsoliduar që mbledh trupa vendase e të huaja.
Nën moton “Zgjerim”, ky festival sjell një program të pasur me shfaqje dhe vizione artistike , duke mirëpritur trupa nga Turqia, Greqia, Kosova, Lituania, Serbia dhe Shqipëria.
“Ky festival është kthyer në një pikëtakim kulturor, ku bashkohen eksperienca e energji të ndryshme artistike. Është kënaqësi që çdo vit sjellim më pranë publikut teatrin ndërkombëtar”, tha Adonis Filipi, regjisori i festivalit.
Në pesë ditë, publiku do të ketë mundësinë të ndjekë 11 shfaqje në skenën e Teatrit “Skampa” në Elbasan, por edhe në Tiranë. Pjesë e këtij edicioni është dhe aktorja lituaneze Monika Poderytė, e cila u shpreh e lumtur që do të performojë me trupën e saj një temë shumë aktuale.
“Drama zhvillohet në një xhungël distopike në luftë, ku arsyet e konfliktit janë harruar dhe mbijetesa kthehet në një betejë psikologjike. Në mes të shkatërrimit të natyrës mungesës së ajrit dhe ujit, shfaqja trajton krizën e identitetit njerëzor të krijuar nga luftërat e pafundme dhe shkatërrimi ekologjik. Përmes gjendjeve ëndërrimtare dhe traumatike të personazheve, drama reflekton mbi mënyrën si shoqëria justifikon luftën dhe ngre pyetje për një raport të ri me natyrën jo si një pronë për t’u sunduar, por si një hapësirë e përbashkët për t’u ruajtur”, u shpreh aktorja Monika Poderytė.
Prej 27 vitesh, “Skampa” ka pritur qindra trupa nga Shqipëria dhe bota, duke e vendosur Elbasanin në hartën e festivaleve ndërkombëtare të teatrit. Përveç shfaqjeve, programi i festivalit përfshin edhe workshop-e, ekspozita fotografike dhe promovime librash kushtuar vlerave teatrore.
/vizionplus.tv





