Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri sot thirrje të gjitha organizatave jofitimprurëse (OJF) që operojnë në fushën e medias, që të sjellin pranë KQZ-së propozimet e tyre, me jo më pak se 3 kandidatë për anëtarë të Bordit të Monitorimit të Medias(BMM), brenda datës 25 Mars.

 

Përmes një deklarate për shtyp, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj bëri të ditur angazhimin e këtij institucioni për ngritjen e BMM-së, që do të monitorojë pasqyrimin e fushatës zgjedhore të 18 Qershorit, në radio-televizionin publik dhe ato private.

 

Për këtë arsye, KQZ i ka kërkuar Gjykatës së Tiranës listën e OJF-ve të regjistruara, që operojnë në fushën e medias dhe sipas Kodit Zgjedhor, janë regjistruar të paktën 1 vit përpara datës së zgjedhjeve.

 

KQZ menjëherë pas marrjes së kësaj liste ka njoftuar këto organizata, sipas emrit dhe adresës të përcaktuar në vendimin e regjistrimit në gjykatë, për të sjelle propozimet për anëtarë të BMM-së.
Por, KQZ konstaton me shqetësim se një pjesë e organizatave jofitimprurëse nuk e kanë marrë njoftimin. Konkretisht nga 83 organizata në total, 57 prej tyre nuk e kanë marrë njoftimin dhe sipas përgjigjes së Shërbimit të Postës Shqiptare, shkak për këtë është fakti se adresat, që janë marrë nga vendimet e gjykatës, nuk janë të sakta.
Në njoftimin e sotëm KQZ iu rikujton organizatave dhe kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për të qënë anëtarë të BMM-së.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *