Subscribe

Me 97 vota e vetëm 15 kundër, parlamenti miratoi reformën zgjedhore duke i dhënë fund punës dy vjeçare për përgatitjen e kuadrit ligjor për zgjedhjet e 25 prillit.

Votimi tregoi se mazhoranca socialiste nuk kishte nevojë për votat e figurave kryesore të opozitës të cilët u pozicionuan kundër.

 

RUDINA HAJDARI

DEPUTETE

“Hapni listat se Kodi Zgjedhor ndryshohet një herë jo sa herë keni qejf ju, jepini mundësinë shqiptarëve të votojnë atë që duan, të ikin në kosh plehra.”

 

Deputetja Hajdari bllokoi foltoren përgjatë gjithë seancës por koha kur kryeministri Rama kishte nevojë për konsensusin e saj tashmë ka përfunduar dhe opozita parlamentare do të duhet të kënaqet me uljen e pragut.

 

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Çfarë e dini ju Partinë Socialiste? Mos ju duket se keni gjetur një lopë për të mbushur kovën që ju ra në dorë, pa dashje? I ra Lulit kova rrugës, ju e kapët dhe keni ardhur të milni Partinë Socialiste tani?”

 

Kryeministri Rama ka mbrojtur modelin e hapjes së listave duke sqaruar se çdo kandidat tashme do t’i nënshtrohet votimit të qytetarëve.

 

Edi Rama

 “Partia Socialiste është një familje politike ku ka rregulla dhe Partia Socialiste ka të drejtën që të rendisë në listë të gjithë skuadrën e vet, nga portieri deri tek sulmuesi, bashkë me rezervat. Dhe çdo rezervë që merr votat futet në fushë. Çdo lojtar që është në fushë dhe nuk arrin të marrë votat, del në stol.”

Kryeministri ka sqaruar pse nuk mund të ketë lista hapura pa asnjë kriter, duke akuzuar presidentin e vendit se po kontakton grupe të krimit të organizuar për zgjedhje.

 

SH.P.K,  për të lëshuar deri edhe viktimat e OFL-së, që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i vendit, nuk ka. Lista të hapura që nën formulën e hapjes ndjellin llumin, paranë e zezë, forcat që ushtrojnë presion mbi komunitetet për të dalë dhe për t’u turrur si çakej nëpër zona, t’i harroni ju, t’i harrojë kushdo tjetër, t’i harroje edhe Ilir Meta!

 

Ilir Meta ka qenë politikani më i sulmuar nga shefi i qeverisë në këtë seancë

 

“Do afishoka emrat e deputetëve publikisht dhe që secili do merrka përveçse kosto politike dhe morale, por edhe personale. Nga kush? Në çfarë mënyre? Me cilat mjete të dhunshme, apo me ato armët që do rrëmbeheshin në 2017-ën?”

 

E pasi ka sqaruar opozitën parlamentare dhe kryetarin e shtetit,  kryetari i PS Rama ka replikuar në distancë edhe me Partinë Demokratike.

 

“I kemi çuar Ilir Rusmailin, për të bërë kryetar të KQZ-së, këtyre që kanë hallin e votës. Kanë refuzuar zëvendëskryeministrin e Sali Berishës.”

 

Rama ka mbrojtur modelin e koalicioneve me listë unike, duke rrëzuar kështu kërkesën kryesore të PD.

 

“Koalicionet, e kemi thënë të gjithë, nuk do t’i heqim, por do t’i qytetërojmë. Koalicionet nuk mund të jenë kope speciesh të ndryshme, që dalin nga drejtime të ndryshme nga pylli dhe mblidhen tek kryqëzimi.”

 

Por nëse Kodi Zgjedhor u votua pa konsensus, parlamenti miratoi përbërjen e re të KQZ e cila është e dakordësuar me opozitën. Komisioneri i zgjedhjeve do të jetë Ilirjan Celibashi me 106 vota ndërsa nënkomisionere do të jetë Lealba Pelinku me 105 vota.

 

Kodi zgjedhor tashmë është në dorën e Ilir Metës i cili ka 20 ditë kohë për t’u shprehur, por edhe në rast se kreu i shtetit refuzon ta dekretojë reformën mazhoranca e rrëzon lehtësisht dekretin me 71 vota dhe i vetmi efekt do të jetë vonesa në kohë e hyrjes në fuqi të ligjit zgjedhor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *