Mijëra persona besohet se kanë vdekur si pasojë e një stuhie të fuqishme që ka shkaktuar përmbytje shkatërruese në Libi.

 

Lideri i Qeverisë në lindje të Libisë, e cila nuk njihet ndërkombëtarisht, ka thënë se numri i vdekjeve mund të shkojë në 2.000, ndërsa mijëra njerëz tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur.

 

Stuhia Daniel ka zbarkuar në Libi të dielën, duke i detyruar autoritetet që të shpallin gjendje të jashtëzakonshme.

 

Shtatë pjesëtarë të ushtrisë së Libisë janë zhdukur në operacionet e kërkim-shpëtimit.

 

Zyrtarët në lindje kanë nisur të zbatojnë orë policore, ndërsa shkollat dhe dyqanet janë mbyllur.

 

Teksa numri i viktimave rritet, Kryqi i Kuq i Libisë ka thënë se të paktën 150 shtëpi janë shkatërruar.

 

Ndonëse administrata me bazë në Bengazi është marrë me situatën në lindje të shtetit, rivalja e saj, Qeveria e njohur nga komuniteti ndërkombëtar në Tripoli, është përfshirë, po ashtu.

 

Kryeministri Abdulhamid Dbeiba, ka thënë se i ka urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që t’i adresojnë dëmet pas përmbytjeve, derisa Zyra e Kombeve të Bashkuara në Libi, ka thënë se është duke e vëzhguar situatën nga afër.

 

Libia është ndarë në dy administrata rivale prej vitit 2014, pas vrasjes së liderit Muammar Gaddafi, më 2011.

 

Të dyja qeveritë i kanë shpallur tri ditë zie, për t’i nderuar viktimat e stuhisë Daniel.

 

Shkencëtarët për klimën kanë tërhequr vërejtjen se ndryshimet klimatike nënkuptojnë më shumë sasi të ujit gjatë sezonit veror, çka mund të rezultojë me stuhi intensive./rel

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *