Subscribe

Presidenti i Republikës Ilir Meta i ka bërë apel parlamentit të rishikojë marrëveshjen për menaxhimin e Parkut Kombëtar të Butrintit, duke këmbëngulur për nevojën e një komisioni të posaçëm për këtë çështje.

 

Gjatë komunikimit me gazetarët, Meta theksoi se problemi më i madh i kësaj marrëveshje është fuqia vendimmarrëse e cila nuk i takon shtetit, por i jepet fondacionit shqiptaro-amerikan për zhvillimin.

 

ILIR META
PRESIDENT I REPUBLIKES

“Presidenti i Republikës nuk është kundër formave të bashkëpunimit shtet-privat, apo përmes strukturave të shoqërisë siç janë edhe fondacionet, aq më pak kur bëhet fjalë për Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim . Por nga ana tjetër, është e papranueshme logjika që për një pasuri të kësaj natyre si Butrinti, në zonën ku ndodhet, dhe me vlera kaq të larta e me rëndësi për historikun, origjinën dhe trashëgiminë kulturore ndër breza, shteti të heqë dorë nga çdo përgjegjësi dhe autorizon një fondacion të dedikuar, ku vetë shteti është futur në strukturat vendimmarrëse të tij, por në një formë dhe në një pozita që nuk garanton dot rolin diktues apo kontrollues sipas përgjegjësisë kushtetuese dhe publike që i takon.”

 

Kreu i shtetit ka ngritur pikëpyetje edhe për zonat e Parkut Kombëtar të Butrintit që nuk janë përfshirë në këtë marrëveshje.

 

“Një çështje tjetër me shumë rëndësi që Kuvendi do të duhet ti japë përgjigje është në këtë marrëveshje administrimi për Parkun Kombëtar të Butrintit, se a janë përfshirë të gjitha nënzonat dhe sipërfaqja e miratuar si Park Kombëtar i mbrojtur? Nëse jo, dhe janë lënë jashtë disa zona në Butrint, cili do të jetë destinacioni i përdorimit të tyre, apo niveli i mbrojtjes së zonave pasuri pronë publike e paluajtshme, të lëna jashtë administrimit sipas kësaj marrëveshjeje?”

 

Nga ana tjetër, kreu i shtetit meta ka injoruar padinë ndaj tij në SPAK, e cila është depozituar nga ish-deputeti Halit Valteri.

 

“Këto lajme absurde si vetë personazhet që i njihni të gjithë nuk krijojnë asnjë shpërqendrim për Ilir Metë nga detyra e Presidentit deri në 24 korrik. Ata që janë në kërkim të letrave për azil për të shpëtuar drejtësisë këtu edhe të tjerë që janë këtu e vijojnë biznesin e inceneratorëve të vijojnë të bëjnë më të mirën e tyre.

Ky është sistem që do shkundet nga themeli duke nisur nga 25 korriku por deri në 24 korrik do bëjmë detyrën me përgjegjshmëri të plotë e shpresojmë të ketë dhe reflektime kur bëhet fjala për çështje të interesit kombëtar.”

 

Në 24 korrik Meta do të largohet nga presidenca dhe ai e ka bërë të qartë se pozicioni i tij politik do të jetë beteja kundër qeverisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *