Nën kryesinë shqiptare të Kartës SHBA-Adriatike, me ftesë të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, u mblodhën në drekën tradicionale të A5, Ministrat e Punëve të Jashtme të vendeve anëtare dhe vëzhguese të kësaj iniciative.

Për më tepër se një dekadë e gjysmë, Karta e Adriatikut ka ndihmuar në ruajtjen e frymës euroatlantike në rajon dhe procesin e anëtarësimit të Kroacisë, Shqipërisë, Malit të Zi dhe së shpejti Maqedonisë të Veriut.

“Pas anëtarësimit të katër anëtarëve të saj në NATO, sfida e Kartës SHBA-Adriatike është shqyrtimi i formave të reja të bashkëpunimit në shërbim të sigurisë rajonale. Natyrisht, Shqipëria konsideron se anëtarësimi i Kosovës në këtë nismë është i një rëndësie të veçantë nga pikëpamja e sigurisë dhe e thellimit të përcaktimit euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.” – u shpreh Cakaj në një reagim në Facebook.

Gjithashtu, Cakaj theksoi se Shqipëria mbështet fuqimisht idenë se orientimi euroatlantik është jetik për promovimin e zhvillimit demokratik dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë e perspektivën e sigurtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *