Për të tretën ditë radhazi luftimet mes Izraelit dhe Palestinës janë përshkallëzuar. Numri i viktimave nga të dyja palët ka arritur në mbi 1100, pjesa më e madhe civilë, përfshirë edhe shtetas të huaj.

 

Sipas autoriteteve vendase, betejat mes ushtrisë izraelite dhe luftëtarëve palestinezë po zhvillohen në 7 zona të ndryshme. Hamasi vijon të mbajë peng rreth 100 persona civilë dhe ushtarakë në Gaza, ndërkohë që Izraeli po grumbullon në kufij 100 mijë forca në gatishmëri për të nisur një ofensivë të mundshme tokësore.

 

Ndërsa Izraeli ka shpallur gjendjen e luftës, vendet e tjera janë mobilizuar të tërheqin shtetasit e tyre. Një natë më parë, mbërriti edhe në Shqipëri avioni i parë me qytetarë që u larguan nga Tel Avivi, mes tyre edhe shtetas nga Kosova.

 

Po ashtu shtete të tjera kanë paralajmëruar qytetarët e tyre dhe disa kompani ajrore kanë pezulluar fluturimet me kryeqytetin izraelit.

 

Sulmet e armatosura në Izrael konsiderohen më vdekjeprurëset ndaj hebrenjve që nga viti 1973. “Ky është 11 shtatori ynë. Ata na kapën në befasi” është shprehur një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes Izraelite.

 

Vendet perëndimore si Shtetet e Bashkuara, Britania e madhe, Franca, Gjermania dhe të tjerë janë pozicionuar krah izraelit, ndërsa në mbështetje të Hamasit janë Afrika e Jugut, Katari dhe Irani megjithëse ky i fundit ka mohuar përfshirjen e tij në konflikt.

 

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë anije dhe avionë ushtarakë më pranë Izraelit në Mesdheun Lindor në një demonstrim mbështetjeje pas sulmit të Hamasit, tha Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin.

 

Turqia, Rusia dhe Kina kanë qenë më neutrale në reagimet e tyre.

 

Sulmet e së shtunës kapën në befasi Izraelin, ndërsa Hamasi prej kohësh kishte përgatitur sulmin përmes planeve të fshehta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *