Dy të vrarë dhe një i plagosur rëndë është bilanci i një atentati mafioz të ndodhur mesditën e kësaj të diele në zonën e ujit të ftohtë, në Vlorë. Viktimat janë Orest Rexho dhe Arjan Hasani.

 

I plagosur nga breshëria e plumbave mbeti 42 vjeçari Armando Sulejmani, i njohur me noftën Çipuri.

 

Policia e qytetit bregdetar ka dyshime se objektiv i atentatit ka qenë Armando Sulejmani, i cili ka vetëm pak kohë që ka dalë nga burgu. Atentatorët i kanë zënë pritë teksa 42 vjeçari së bashku me kunatin dhe mikun e tij ishin duke lëvizur me një automjet.

 

Çipuri është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare. Ai njihet si një nga ish anëtarët e bandës së Gaxhait në qytetin e Vlorës, si dhe një nga personat e dyshuar për masakrën e Çoles po në Vlorë, ku mbeti i vrarë Aleksandër Llanaj.

 

Armando Sulejmani ka qenë më herët i dënuar për vrasje, ndërsa së fundmi ndodhej në burg, pasi në bashkëpunim me disa persona të tjerë ishte dënuar për vjedhje e grabitje të pikave të bastit e karburanteve.

 

Edhe 3 vite më parë, 42 vjeçarit iu bë atentat pranë banesës, ku mbeti i plagosur. Dyshimet janë se krimi i sotëm lidhet me atentatet e mëparshme. Ndërkohë policia ka grumbulluar provat në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar disa persona për të dhënë shpjegime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *