Marta Kos nga Tirana: Zgjedhjet politike do të përcaktojnë të ardhmen e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së

Komisionerja e Bashkimit Europian për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi se Ballkani Perëndimor ndodhet në një moment vendimtar dhe se zgjedhjet politike që do të bëjë secili prej vendeve të rajonit do të përcaktojnë hapat e mëtejshëm drejt integrimit europian.
Gjatë takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor në Pallatin e Brigadave në Tiranë, Kos theksoi se Bashkimi Europian po diskuton instrumente të reja financiare në kuadër të buxhetit të ardhshëm, të cilat do të përdoren për secilin prej vendeve të rajonit.
“Ne e shohim sot rajonin në udhëkryq dhe konceptit që bëjmë bashkë Ballkanin Perëndimor po i vjen fundi i vet i natyrshëm. Zgjedhjet politike që do të bëjë secili vend do të përcaktojnë çfarë do të ndodhë më tej.
Buxheti ynë që po diskutojmë do të ketë instrumente financiare që do t’i përdorim për secilin prej vendeve tuaja. Do të flasim më shumë për gjërat që mund të bëjmë për secilin prej vendeve tuaja. Sipas mekanizmave të ecurive tuaja, do të kemi edhe kushte të caktuara.
Thirrja ime për ju sot është ta shfrytëzojmë këtë moment, ta përfundojmë këtë proces dhe t’ju sjellim të gjithëve ju në BE.“, tha Marta Koss.




