Sot në Prishtinë do të zhvillohet “Marshi për Liri”, një tubim në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, të cilët ndodhen në paraburgim në Hagë.
Marshi do të nisë në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët, përmes platformës “Liria Ka Emër”, kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të gjerë të qytetarëve, në prag të shpalljes së aktgjykimit nga Gjykata Speciale, e parashikuar për 16 shtator.
Programi dhe folësit e aktivitetit janë prezantuar nga Eliza Hoxha. Në pjesën zyrtare të tubimit pritet të ketë fjalime nga përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, familjeve të dëshmorëve dhe figurave politike.
Në emër të shoqatave të dalë nga lufta do të flasë Hysni Gucati, ndërsa Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, do të përcjellë mesazhin e familjeve të dëshmorëve dhe brezit që ka trashëguar kujtesën e luftës.
Në mesin e folësve do të jenë edhe Ardian Gjini dhe Bedri Hamza, ndërsa qytetarëve do t’u drejtohet gjithashtu Buna Mustafa, vajza e Salih Mustafës, i njohur me nofkën “Cali”.
Tubimi do të shoqërohet edhe me këngë patriotike, të cilat organizatorët i kanë konsideruar pjesë të mesazhit të aktivitetit.
Marshi zhvillohet në kuadër të një sërë aktivitetesh të organizuara në prag të vendimit të Gjykatës Speciale. Një ditë më parë ka përfunduar aktiviteti “7 Zjarret në 7 Zonat Operative të UÇK-së”.
Ndërkohë, më 15 dhe 16 shtator pritet të zhvillohet edhe “Nata e Pritjes” në Hagë. Rreth 50 veteranë të UÇK-së kanë bërë të ditur se do të udhëtojnë drejt Hagës për të qenë pranë ish-krerëve të UÇK-së në ditët kur pritet shpallja e aktgjykimit.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020. Ata akuzohen nga Prokuroria Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, akuza të cilat janë mohuar nga të pandehurit dhe ekipet e tyre mbrojtëse.
Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur në prill të vitit 2023. Gjatë deklarimeve të tyre para trupit gjykues, ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe kanë mbrojtur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke theksuar se ajo ishte një luftë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Avokatët mbrojtës kanë kërkuar shpalljen e pafajësisë së katër të akuzuarve, duke kundërshtuar pretendimet e Prokurorisë dhe duke argumentuar se akuzat nuk mbështeten në prova të mjaftueshme.





