Subscribe

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu paraqiti planin e qeverisë për të përballuar pandeminë në muajt e vjeshtës dhe të dimrit.

Përmes një video-mesazhi në “Facebook”, Manastirliu tha se do të fuqizohen kapacitetet spitalore rajonale si edhe do të ketë më shumë teste tek grupet e riskuara.

“Ne po përgatitemi për të përballuar situatën e vjeshtë-dimrit në disa drejtime. Nga krijimi i skuadrave të lëvizshme në Qendrën e Urgjencës Kombëtare tek skuadrat e dedikuara të mjekëve dhe infermierëve për spitalet Covid3 dhe Covid4, tek fuqizimi i kapaciteteve të spitaleve rajonale, nga rritja e kapaciteteve testuese tek vaksinimi i grupeve të riskuara, nga parandalimi i kontrollit të infeksioneve tek masat për vijimin e trajtimeve bashkëkohore të pacientëve me Covid19.”

Ajo bëri thirrje për të gjithë që të përshtaten me këtë normalitet të ri. Sipas saj, stili i ri i jetesës e kërkon që t’u themi “JO” festave dhe grumbullimeve.

“Deri kur kjo pandemi të jetë mposhtur, kërkohet të heqim dorë nga grumbullimet dhe nga festat që shumë herë, dhe e kemi këtë të evidentuar, janë kthyer në vatra kryesore të përhapjes së infeksionit. Normaliteti i ri kërkon ta shohim distancimin fizik jo si një mënyrë për t’u larguar nga të dashurit, por si një mjet për t’u treguar edhe më fort dashurinë, duke i mbrojtur. Normaliteti i ri kërkon të përdorim maskën kudo, në çdo ambient të mbyllur, tashmë vendosur me ligj dhe kudo ku distancimi është i pamundur.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *