Subscribe

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se rimbursimi i ilaçeve për qytetarët e infektuar me COVID-19 tregon mbështetjen e qeverisë për ta. Gjatë një vizite ne qendrën shëndetësore nr. 2 në Tiranë, Manastirliu u njoh me procedurën që ndiqet për përfitimin e barnave me rimbursim. Ministrja e Shëndetësisë vlerësoi punën e madhe që po bëjnë mjekët e familjes për ndjekjen dhe trajtimin e pacientëve me COVID-19.

 

“Rimbursimi 100% dhe financimi nga shteti për paketën e trajtimit me barna për të gjithë qytetarët të cilët kanë forma të lehta dhe të moderuara të sëmundjes, është një tjetër hap drejt mbështetjes së qytetarëve, drejt angazhimit dhe kujdesit që qeveria shqiptare ka për gjithë qytetarët shqiptarët. Roli i mjekut të familjes është vendimtar, është thelbësor në luftën kundër Covid19. Sepse në terren është lufta e vërtetë. Patjetër është në spitale, sepse është lufta për jetën. Por në qendrat tona shëndetësore ku bëhet një punë fantastike dhe një punë kaq voluminoze për të trajtuar në kohë rastet e formave të lehta apo të moderuara, është edhe këtu një rol thelbësor dhe i rëndësishëm për të parandaluar atë që mund të vijë më vonë si një risk i shkaktuar nga mungesa e trajtimit”, tha Manastirliu.

 

Ajo nënvizoi se nga ana tjetër, po vazhdon vaksinimi falas kundër gripit i grupeve më të rrezikuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *