Luan Rama i është kundërpërgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama, teksa tha se LSI është një sistem që duhet çmontuar dhe se bashkë me Bashën do e çonin për skrap.

Në një deklaratë për mediat, nënkryetari i LSI-së shprehet se gjuha e urrejtjes nuk është ndonjë gjë e re në karakterin e kryeministrit dhe as në natyrën e tij.

“Sikurse e keni vënë re, motra dhe vëllezër, prej ditësh Kryeministri vetë, por me porosi dhe me urdhër të tij, edhe çeta e eunukëve të tij të pushtetit, nuk po e ndajnë nga goja refrenin e dëshirës së tyre paranojake për të zhbërë LSI-në dhe siç thotë Kryeministri i kompleksuar dhe i frikësuar: ‘për ta çuar atë për skrap!’ Natyrisht gjuha e urrejtjes, mllefi dhe armiqësia ndaj një pjese të shqiptarëve, siç është armata e gjerëve e anëtarëve, mbështetësve, votuesve dhe simpatizantëve të LSI-së, nuk është një gjë e re në karakterin e Kryeministrit dhe as në natyrën e tij. Ajo është në thelb e gjithçka ai përfaqëson, jo vetëm për anëtarët, simpatizantët dhe votuesit e LSI-së, por për të gjithë qytetarët shqiptarë, natyrisht përjashtuar atë pakicë eunukësh që e ndjekin atë nga pas për shkak të lidhjeve korruptive apo interesave kriminale. Duke u marrë me Lëvizjen Socialiste për Integrim, me anëtarët, me simpatizantët, me votuesit e saj të shumtë, Edi Rama nuk mund ta fshehë dështimin e tij në qeverisje, nuk mund të fshehë realitetin e dhimbshëm, varfërinë dhe korrupsionin që e ka pllakosur dhe që po e mban të mbërthyer për fyti Shqipërinë, sepse ky realitet, pra e vërteta e dhimbshme tej fasadës së propagandës së tij, nuk mund të fshihet as kronika si ato që u transmetuan pak më parë dhe as pas maskave me lule që ai i ndërron çdo ditë.”

Ai shtoi se Rama nuk ka probleme me LSI-në, por me demokracinë.

“Pra, duket qartë, të dashur qytetarë, motra dhe vëllezër shqiptarë, që Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, Edi Ramës ia ka fajin babëzia. Edi Ramës nuk ia ka fajin LSI-a, por Edi Ramës ia ka fajin ligësia, ligësia e shprehur edhe përmes gjuhës së tij të urrejtjes dhe të armiqësisë, për të përveçuar një pjesë të shqiptarëve e për të ndërsyer ndaj tyre pjesën tjetër. Kjo është filozofia politike, ky është karakteri i Edi Ramës, duke qenë se tha që më 25 prill shqiptarët do të zgjedhin karakterin. Po, Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me demokracinë. Edi Rama ka probleme me integrimin evropian të Shqipërisë, të cilin e ka zënë peng, e ka bllokuar dhe sabotuar. Edi Rama nuk ka probleme me LSI-në, Edi Rama ka probleme me Shqipërinë, ndaj Shqipëria mezi pret 25 prillin për të larë njëherë e mirë problemet dhe hesapet me Edi Ramën.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *