Subscribe

Gjykata e Lartë ka kthyer në Apel çështjen se kujt i përket logoja dhe vula e Partisë Demokratike.

Gjyqtarët kanë marrë në shqyrtim kërkesën e Partisë Demokratike të përfaqësuar nga komisioni i Rithemelimit dhe kanë vendosur të prishin vendimin që Apeli mori në 3 marsin e këtij viti duke kërkuar rishqyrtimin e çështjes nga një tjetër trup gjykuese.

“Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, Kolegji Civil arriti në përfundimin se Gjykata e Apelit ka lejuar shkelje procedurale që e bëjnë të cenueshëm vendimin e dhënë prej saj.”

Sipas Gjykatës së Lartë, Apeli nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve.

“Kolegji vlerëson se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë.”

Në 11 dhjetorin e vitit 2021 Sali Berisha mblodhi kuvendin kombëtar të Partisë Demokratike i cili shkarkoi Lulzim Bashën dhe shënoi kthimin e Berishës në krye të PD. Në marsin e vitit 2022 gjykata e shkallës së parë  njohu si të ligjshëm këtë kuvend dhe rrjedhimisht Sali Berishën si lider të PD. Por një vit më vonë, në mars 2023, gjykata e Apelit vendosi ta kthejë në shkallën e parë çështjen e kuvendit të PD.

Pas vendimit të gjykatës së lartë, sot në fuqi mbetet vendimi i dhënë nga gjykata e shkallës së parë që njeh Berishën dhe komisionin e rithemelimit si drejtues të Partisë Demokratike. Por ky nuk është vendim i formës së prerë, e mbetet një çështje e cila do të shqyrtohet edhe njëherë në Apel.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *