Rritja e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë ditën e mërkurë duket se ka filluar të japë sinjalet e para të reflektimit në tregun financiar.

 

Ditën e enjte leku u mbiçmua me rreth 0.3 pikë në kursin e këmbimit me euron. Euro u këmbye me 122.48 lekë ditën e enjte, duke shënuar nivelin më të ulët që prej datës 2 mars.

 

Ekspertët e tregut shprehen se vendimi i djeshëm i Bankës së Shqipërisë mund të ketë ndikuar në favor të monedhës vendase në kursin e këmbimit valutor. Teorikisht, niveli i normës bazë të interesit është një ndër faktorët që ndikojnë kursin e këmbimit mes monedhave të ndryshme.

Rritja e normës bazë përfaqëson një çmim më të lartë të injektimit të parasë në sistem nga banka qendrore dhe nënkupton një veprim në kahun shtrëngues monetar. Duke qenë se ky veprim shtrëngon ofertën e monedhës përkatëse, rritja e normës bazë ndikon në mbiçmimin e saj kundrejt valutave të tjera.

 

Në rastin konkret, rritja e normës bazë të lekut ndaj euros e thellon akoma më shumë hendekun në normën bazë mes dy valutave. Banka Qendrore Europiane ende nuk ka ndërmarrë lëvizje në drejtim të rritjes së normave të interesit, megjithatë nivelet në rritje të shpejtë të inflacionit në Eurozonë. Deri tani, BQE-ja është e fundit mes bankave më të mëdha qendrore që nuk ka ndërmarrë hapa në drejtim të shtrëngimit monetar, ndërsa institucionet homologe, si Banka e Anglisë apo Rezerva Federale kanë ndërmarrë tashmë rritje të normave bazë.

 

Kjo qasje e ndryshme ka qenë një ndër faktorët kryesorë që kanë ndikuar në nënçmimin e euros në kursin e këmbimit me valutat e tjera të rëndësishme globale në dy muajt e fundit. Lëvizja e Bankës së Shqipërisë për të rritur normën bazë të interesit duket se po jep një efekt të tillë edhe në kursin e këmbimit mes lekut dhe euros.

 

Rritja e normës bazë gjithashtu e bën lekun më tërheqës si monedhë për mbajtjen e kursimeve. Në teori, pritshmëria për kthime më të larta nga depozitat (dhe investimet e tjera financiare) mund t’i shtyjë më shumë individë apo subjekte që t’i zhvendosin kursimet e tyre nga valuta e huaj në lekë. Kjo do të shtonte kërkesën për lekë dhe do të ushtronte ndikim në krahun e mbiçmimit të monedhës vendase.

 

Megjithatë, ekspertët mendojnë se është vështirë të thuhet në çmasë kjo lëvizje do të ketë ndikim afatgjatë në kursin e këmbimit, duke qenë se tregu valutor shqiptar është një treg i vogël dhe i ndikuar kryesisht nga raportet e brendshme të kërkesës dhe ofertës, më shumë se nga faktorë të gjerë konjukturalë.

 

Elementi kryesor në ecurinë e kursit të këmbimit ngelet pozicioni i jashtëm i ekonomisë i shprehur në Bilancin e Pagesave. Shtrenjtimi i lëndëve të para dhe produkteve energjetike ka shtuar rreziqet për thellim të deficitit tregtar në mallra, megjithatë shpresat janë që dalja graduale nga pandemia do të ketë një efekt pozitiv në bilancin e shërbimeve dhe sidomos në sektorin e turizmit.

 

Mbiçmimi i monedhës i ndikon në mënyrë të ndryshme subjekt të ndryshme në ekonomi. Një mbiçmim i lekut ndikon negativisht tek ato subjekte që kanë të ardhura në valutë dhe shpenzime në lekë, kryesisht eksportuesit e mallrave dhe të shërbimeve.

 

Një mbiçmim i lekut dëmton, të paktën pjesërisht, edhe depozituesit që i mbajnë kursimet e tyre në valutë të huaj, kryesisht në euro. Por, nga ana tjetër një monedhë vendase më e fortë favorizon subjektet që importojnë mallra dhe shërbime nga jashtë dhe huamarrësit që kanë detyrime në valutë të huaj, ndërkohë që të ardhurat i përfitojnë në lekë.

 

Megjithëse ndikimi direkt i kursit të këmbimit mund të jetë i ndryshëm për aktorë të ndryshëm, në situatën aktuale balanca e faktorëve sugjeron se interesi i ekonomisë shqiptare mund të jetë më shumë për një monedhë vendase në pozita të forta.

 

Kjo do të ndihmojë për të amortizuar sadopak presionet shumë të mëdha inflacioniste nga tregjet e huaja të mallrave. Analizat e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se, të paktën deri në tremujorin e fundit të vitit të kaluar, mbiçmimi i lekut në kursin e këmbimit valutor ka zbutur pjesërisht reflektimin e inflacionit të importuar në ekonominë shqiptare.\Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *