Vetëvrasja e Bedrie Lokës, 41-vjeçares nga Durrësi tronditi opinionin publik në Shqipëri. Fillimisht u raportua se shkaku që e çoi nënën e 4 fëmijëve drejt vetëvrasjes ishte hapja e një profili denigrues në Tik-Tok. Por dy ditë pas ngjarjes, policia arrestoi bashkëshortin, Xhemal Loka.
Prokuroria e Durrësit ka dyshime të forta të bazuara në dëshmitë e fëmijëve të Bedrie Lokës dhe nga këqyrja e celularëve, se gruaja është dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga bashkëshorti i saj, keqtrajtim sistematik që dyshohet se e çoi 41-vjeçaren drejt vetëvrasjes.
Lexo edhe :
Related Posts
Psikologia Renisa Beqiri, e ftuar në “7pa5” në ekranin e Vizion Plus me moderatorët Alma Çelaj dhe Syrjan Rahova tha se shoqëria jonë kthen vëmendjen drejt këtyre rasteve vetëm kur përfundojnë në tragjedi, por sipas saj ka dhjetëra raste të fshehura.
Beqiri: Është vetëm një rast dhe ne kthejmë vëmendjen. Por sa raste të tjera ka? Sa gra dhe sa vajza vuajnë si pasojë e dhunës,ashtu sikurse ka edhe burra që vuajnë nga dhuna e bashkëshorteve. Ne dhunën vijojmë ta kemi prezente. Dhuna është formë shkarkimi dhe nëse gjejmë një person i cili e duron dhunën, bëhet një formë shkarkimi për të gjithë. Në këtë rast gruaja e ka duruar në mënyrë sistematike dhe tani nuk i bënte më përshtypje.
Bedrien e vrau shoqëria apo familja?
Beqiri: Nuk është vetëm një element që e çon një individ drejt vetëvrasjes. Janë disa situata traumatike që individin e bëjnë të ndihet jo i vlefshëm. Në rast se nuk ndihemi të vlefshëm kuptojmë përgjatë periudhës së jetës tonë që çfarë roli kam unë në shoqëri. Nëse këto situata përsëriten, lënë gjurmë te individi. Janë shumë elementë që e kanë vrarë Bedrien. Familja është baza, shtylla dhe në rast se kjo familje nuk është mbështetëse nivelet e përjetimit psikologjik janë shumë herë më të larta. Në këtë rast është parë si një lloj shpëtimi nga realiteti që ajo nuk ka pasur mundësi ta ndryshojë. Një individ që është i pakënaqur nuk arrin të shikojë gjërat e bukura të jetës.
Për sa i përket hapjes së profilit denigrues në Tik Tok, psikologia mendon se policia nuk ka bërë aq sa duhet, jo vetëm në këtë rast, por në shumë raste të tjera të ngjashme. Sipas saj, nëse këtyre çështjeve do t’i shkohej deri në fund dhe do të ndërmerreshin hapa ligjorë, situata do të kishte ndryshim.
Beqiri: Psikologia tha se roli i policisë është shumë i rëndësishëm. Nëse gjurmohen këto raste dhe ndiqen hapat ligjorë… Ka raste kur vajzat vetëm marrin një meszh kërcënues, por në shumë raste kalon në përndjekje. Ka shumë raste kur policia nuk e merr fare përsipër rastin pasi thotë që nuk ka çfarë të bëjë.
Në momentin që ne mësojë të themi jo atëherë fillojmë të adresojmë dhunën. Vetëm vetja mund ta shëptonte Bedrien. Nëse do të kishte pasur guximin t’i ishte drejtuar instancave. Në rast se nuk tentohet dhe nuk artikulohet dhimbja të tjerët nuk kanë se si ta kuptojë atë . Ne kulturalisht kemi mësuar që mos e tregojmë dhunën. Ne jemi rritur me këtë ide dhe është pak e vështirë. Në rast se ne vetë nuk e ngremë zërin ndaj padrejtësive dikush tjetër nuk do ta bëjë.
Ditën e djeshme, Gjykata e Durrësit i caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” Xhemal Lokës, në akuzë për shkaktimin e vetëvrasjes që parashikon dënim deri në 7 vite burgim.
Para togave të zeza, Xhemal Loka dhunën e quajti debat normal si në çdo familje shqiptare, dhe shkakun pse gruaja e tij piu fostoksinë e gjen te profilt në Tik-Tok që denigronte figurën e saj. /vizionplus.tv