Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mesditën e kësaj të hëne po zhvillon një mbledhje urgjente pas vendimit të Presidentit Ilir Meta, i cili ka firmosur  dekretin për zhdekretimin e zgjedhjeve dhe anulimin e tyre në një afat të pacaktuar.

 

Ndërkohë kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka braktisur mbledhjen e KQZ-së për shkak se anëtarët e zgjedhur nga maxhoranca në këtë institucion nuk kanë dashur të zbatojnë dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve.

 

“Jemi në një moment sfide, pra kemi nga një anë dekretin e Presidentit dhe axhendën e njoftuar nga dy anëtarët të KQZ. S’më ka rënë rasti ndonjëherë që të vëmë në diskutim dekretin e Presidentit. Kanë qenë tre rastet kur Presidentët kanë çdekretuar datën e zgjedhjeve. Unë mendoj që KQZ dhe unë personalisht, duhet ti bindemi një produkti të tillë, këtij dekreti. Jemi përballë këtij fakti, s’dua të gjykoj kompetencën e Presidentit, nuk jam Gjykatë Kushtetuese të vlerësoj është i ligjshëm ose jo dekreti i Presidentit. Vihem përballë një vështirësie tjetër, pra pika e dytë thotë që KQZ-ja të marrë masa për të zbatuar këtë vendim. Jam përballë një vështirësie, që refuzohet t’u dërgohet ky dekret partive politike. Kjo është fare banale, por duhet të ketë një vetë përmbajtje, dhe institucionet duhet të kuptojnë që respektimi i hierarkisë duhet zbatuar”.

 

Nga ana tjeter nënkryetari i KQZ-së Denar Biba u shpreh se akti i presidentit për anulimin e zgjedhjeve është i pavlefshëm.

 

” Kodi zgjedhor detajon se data e zgjedhjeve përcaktohet nga presidenti i Republikës, zgjedhjet zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit. Sot vetëm 20 ditë para datës së zgjedhjeve presidenti vendos shfuqizimin e dekretit për anulimin  e zgjedhjeve. Ky dekret i dytë është një akt i pavlefshëm sipas kodit të procedurës civile. Praktikisht dekreti i sotëm bie ndesh me parimin e ligjshmërisë ku thuhet se organet publike ushtrojnë detyrat brenda kopetencave të tij. Nxjerrja e dekretit është brenda kopetencave të presidentit,por ai nuk mund të anulojë apo të mos caktojë fare një datë zgjedhjesh. Pasi duke anuluar zgjedhjet e 30 qershorit Shqipëria është sot pa një datë zgjedhjesh. Shfuqizimi i dekretit është një shkelje e hapur sepse lë vendin pa datë zgjedhjesh. Unë vlerësoj se KQZ ka detyrimin të vijojë me organizimin e zgjedhjeve për 30 qershor”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *