Ka dështuar për të 53-tën radhazi Kuvendi i Kosovës, ndërsa seanca e radhës është paralajmëruar për ditën e nesërme në orën 14:00.
Ky vendim i ligjvënësve erdhi një ditë para se të hyjë në fuqi masa e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar asnjë veprim nga deputetët për konstituim të Kuvendit nga data 27 korrik deri më 8 gusht.
Ndërkohë në këtë seancë ishin të pranishëm edhe ambasadorët në Prishtinë.
Në një deklaratë për mediat, Ambasadori i BE-së u shpreh i zhgënjyer që deputetët e dalë nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit nuk arritën sërish te bëjnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
“Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re, që do të ndërtonte një urë të re dhe të fortë mes Kosovës dhe Brukselit, që të përshpejtojë rrugëtimin e saj drejt BE-së”, tha Aivo Orav.
Sakaq diplomati britanik u ka bërë thirrje politikanëve të Kosovës që të bashkohen dhe të gjejnë një zgjidhje për t’i dhënë fund bllokadës, para se të nisë zbatimi i masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese.
“Përndryshe, Kosova po hyn në territor të panjohur dhe shtetasit e saj vazhdojnë të humbin përfaqësimin politik kuptimplotë dhe aftësinë për të marrë vendime të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare që ndikojnë në jetën e qytetarëve”, tha Jonathan Hargreaves.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar se për partinë e tij nuk ka qenë asnjëherë temë diskutimi zgjedhja e kryetarit të Kuvendit , por sigurimi i votave të mjaftueshme për formimin e qeverisë, gjë që në vlerësimin e tij mungojnë.
Gjithçka mbetet për t’u parë nëse kreu i Vetvendosjes Albin Kurti do të arrijë një marrëveshje me kryetarin e Nismës për formimin e qeverisë. Ata kanë paralajmëruar që lajmin për këtë do e japin në fundjavë.
/vizionplus.tv





