Koronavirusi kinez vijon të përhapet edhe në shtete të tjera të Europës pasi Zvicra, Rumania, Austria dhe Kroacia konfirmuan zyrtarisht rastet e të infektuarve. Sipas autoriteteve, pacientët e prekur me këtë sëmundje kanë vizituar së fundmi shtetin fqinj.

Italia është vendi më i prekur në Europë nga virusi, me 11 viktima dhe rreth 360 të infektuar, mes tyre edhe të mitur. Në zonën e  Lombardisë, një vajzë 4-vjeçare, dy djem të moshës 10 vjeç dhe një 15 janë deklaruar pozitivë si mbartës të sëmundjes.

Ministrat e Shëndetësisë në Francë, Gjermani, Itali dhe në Komisionin Europian e kanë konsideruar të pavend mbylljen e kufijve duke garantuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e situatës.

BE ka deklaruar se nuk do të vendosë akoma kufizime në udhëtime apo tregti. Italia ka mbyllur të paktën dhjetë qytete në zonën më të prekur të Lombardisë.

Në ishullin e pushimeve spanjolle në Tenerife, 1.000 turistë po mbahen në karantinë pasi mes tyre gjenden dy italianë të infektuar.

Edhe në Brazil është regjistruar rasti i pare, ndërsa në Iran 15 persona kanë vdekur dhe rreth 100 të tjerë janë infektuar. Në Kinë, zyrtarët shëndetësorë kanë raportuar për 52 të vdekur të martën, duke shënuar shifrën më të vogël të vdekjeve në tri javët e fundit.

Në  total më shumë se 2700 persona kanë humbur jetën nga koronavirsui dhe më shumë se 80 mijë janë infektuar. Organizata Botërore e Shëndetësisë nuk e konsdieron ende situatën në nivelin e një pandemie, por i ka bërë thirrjë të gjitha shteteve që të përgatiten, duke marrë masat e duhura dhe të qëndrojnë në vigjilencë për zbatimin e udhëzimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *