Avokati Redi Ramaj, dhe gazetarët Ardit Hoxha e Flogert Muça, kanë diskutuar në stuion e “Quo Vadis” në Vizion Plus me moderatoren Pranvera Borakaj detajet e kontratës së lobimit të Partisë Demokratike me një kompani amerikane me vlerë 6 milionë dollarë me një kohëzgjatje prej 24 muajsh. Berisha tha gjatë një konference pasditen e sotme se kjo kontratë është 100% sipas ligjit dhe nuk ka lidhje me zgjedhjet.
Avokati Ramaj tha se PD pasi të dalë rezultati final i zgjedhjeve të 11 majit, ka për detyrë që të raportojë detajet e kontratës në KQZ. Ndërsa gazetari Muça tha se PD nuk është treguar transparente me qytetarët.
Hoxha tha se PD nga njëra anë akuzon kundërshtarët për luks të shfrenuar, ndërsa nga ana tjetër del në skenë një kontratë me vlerë 6 mln dollarë.
Ramaj: Duke e parë kontratën nga ana formale shohim një marrëdhënie mes PD dhe një fondacioni shqiptaro-amerikan në SHBA dhe një personi garantor që është Nuredin Seci. Flitet për 2 vjet marrëveshje lobingu për të përmirësuar marrëdhëniet e PD-së me SHBA-në, në disa raste është përmendur edhe koalicioni Aleanca për Shqipërinë Madhështore. Për çdo muaj paguhen 250 mijë euro që i shërbejnë kësaj kontrate. Momenti i nënshkrimit të kontratës lidhet me procesin zgjedhor në Shqipëri. Çdo para dhe çdo veprimtari tjetër duhet të deklarohet dhe duhet të raportohet. PD pasi të dalë rezultati final i zgjedhjeve ka detyrimin ta raportojë edhe këtë kontratë, edhe vlerën dhe si do financohet.
Muça: Kush i ka paguar këto para? Tre muaj parapagim…sipas kontratës janë dhënë 750 mijë euro.
Ramaj: PD ka bërë rolin e mbledhjes së parave nga fondacioni nga SHBA dhe ia ka paguar kompanisë apo direkt organizata në SHBA ia ka kaluar kompanisë së lobingut në Amerikë. Kjo është diçka që duhet sqaruar. Nuk e dimë kur është paguar dhe nëse ka kaluar nëpërmjet llogarive të partisë politike.
Muça: Kjo është mungesë transparence. Ka një detyrim më të madh se ai ligjor për opozitën. Është detyrimi moral për t’i thënë njerëzve “nuk keni pse të dyshoni te ne”.
Hoxha: Një nga shtyllat kryesore të PD është “paketa e dhembshurisë”. Në momentin kur ke këtë dhe tenton në qasesh te audienca e varfër dhe akuzon kundërshtarët për luksin e shfrenuar dhe del një 6 mln dollarësh kërcet. Jemi në kulm të fushatës dhe një forcë që aspiron të jetë forcë qeverisëse duhet të jetë e drejtpërdrejtë me qytetarët./vizionplus.tv