Subscribe

Kompozitori i këngës që u kthye në frymëzim për shqiptarët “Shqipëri, oj nëna ime”, Kolë Susaj, i ftuar në studion e “Vizioni i Pasdites” i moderatores Brikena Prifti në Vizion Plus, ka rrëfyer se si erdhi frymëzimi.

Ai theksoi se gjatë kohës kur Ansambli i Tropojës do të duhej të dilte jashtë vendit duhej dhe një këngë për emigrantët shqiptarë, kryesisht për shqiptarët e Kosovës.

Kolë Susaj tha se pavarësisht se detyra për një këngë të tillë i ishte ngarkuar shumë kompozitorëve, askush nuk e soli një të tillë, prandaj i shtyrë nga presioni i kohës, ai mori frymëzim nga poema e Naim Frashërit, “Kur dëgjon zërin e nënës”.

Pjesë nga biseda:

Brikena Prifti: Shqipëri oj nëna ime një himnin, si ka qenë ai momenti kur erdhi ky frymëzim?

Kolë Susaj: Unë në fakt nuk e kam zakon të lavdëroj veten, me dëgju fjalë të mira më vjen mirë. Kjo është këngë e vitit 1989. Në gusht të atij viti ansambli i Tropojës do të bënte një rrugë në Zvicër. Kjo rrugë ishte si një stimul nga vendi i parë që morëm në Gjirokastër në 88-ën. Na thanë që e meritoni një rrugë të tillë. Parapërgatitja për këtë festival kërkonte një punë të madhe. Ne në atë periudhë kemi patur këshillat artistikë që miratonin dhe projektonin koncertin. Në këtë punë parapërgatitore, duhej dhe një këngë që të mbulonte pjesën e mërgimtarëve shqiptarë, sidomos atë të shqiptarëve nga Kosova. Tekstshkruesit morën detyrat e tyre, askush nuk solli theks. Unë isha me detyrën e shefit të muzikës. Kur u afruan ditët shumë vura në lëvizje trurin për të bërë gjetjen. Deshi Zoti dhe mu kujtua poema e Naim Frashërit “Kur dëgjon zërin e nënës”, unë e kam dashur dhe e dua shumë poemën dhe u bë burimi i kësaj kënge. Aty vendosa urgjent të hap poemën dhe të gjej tekstin aty. Ishte një mendim i imi, por i frikshëm pasi poema ishte madhore dhe mbase dikush do më thoshte mos bëj gallatë. Mora poemën dhe kam bërë atë tekst që ka mbetur i pandryshuar. Teksti ishte shumë frymëzues. Disa ditë bëra një punë të heshtur pa i thënë askujt.

Brikena Prifti: Ke qenë dhe në presion?

Kolë Susaj: Po, po. Filloi dhe pastaj interesi se si u zgjidh problemi i tekstit. Pastaj janë rregullat e miratimit të këngës, bëmë edhe përzgjedhjen e njeriut që do ta këndonte. Kam patur fatin që në Tropojë të kemi zëra të jashtëzakonshëm.

Brikena Prifti: I pari që e këndoi?

Kolë Susaj: Është Gëzim Nika, pati sukses të jashtëzakonshëm. Edhe sot e kësaj dite mbetet këngëtari më i mirë.

Brikena Prifti: Në gjykimin tuaj ai që e ka kënduar i pari është më i miri?

Kolë Susaj: E kam të vështirë, por kam nostalgjinë, por dhe punën me Gëzim Nikën.

/Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *