Subscribe

 Ekspertët e komisionit të Venecias kanë hartuar opinionin paraprak mbi nismën e opozitës për vetingun e politikanëve. Në dokumentin prej 20 faqesh bie në sy se Venecia mbështet qëllimin e opozitës, duke venë në dukje se kontaktet e deputetëve me krimin janë një problem i vjetër e për këtë arsye qëllimi i vettingut është legjitim.

 

Thënë kjo, ekspertët kanë një “por”,  të fortë duke theksuar se mënyra si janë shkruar ndryshimet kushtetutese iu mungon qartësia dhe siguria ligjore.

 

“Draft amendamentet kushtetuese nuk arrijnë të ofrojnë garanci të përshtatshme dhe masa mbrojtëse të nevojshme, edhe në nivelin kushtetues, për një shkallë të tillë të madhe, komplekse dhe të ndjeshme, në implikimin e rëndë për të drejtat e atyre që i nënshtrohen vettingut.”

 

Në rastin e dekriminalizimit apo vettingut të gjyqtarëve, krahas ndryshimeve kushtetuese është hartuar edhe ligji përkatës që krijonin një tablo më të plotë ligjore, por në këtë rast opozita ka hartuar vetëm ndryshimet kushtetuese. Dhe Venecia vë në dukje se drafti dështon të sqarojë disa elemente kyçe;

 

Ka paqartësi se çfarë do të konsiderohet “kontakt me krimin e organizuar” që passjell humbjen e mandatit apo kufizimin e të drejtës për të votuar. Kjo duhet të përcaktohet qartë, sepse ndryshe nuk respekton parimin e qartësisë dhe sigurisë ligjore, duke mbartur rrezikun e interpretimit arbitrar dhe abuziv.”

 

Ekspertët ngrejnë edhe dilemën se kush do të bëjë vettingun e politikanëve

 

“Mungon mekanizimi i zbatimit, që do ishte një garanci kushtetuese për të siguruar pavarësinë dhe paanshmërinë gjatë procesit të vettingut të politikanëve.”

 

Por pavarësisht vërejtjeve, si në çdo raport komisioni i Venecias nuk ka dhënë një përgjigje të prerë duke ia lënë vendimarrjen parlamentit shqiptar.

 

I takon Parlamentit shqiptar të vendosë mbi hapat e ardhshëm në lidhje me amendamentin kushtetues, përmes dialogut konstruktiv midis të gjitha forcave politike dhe të shoqërisë në përgjithësi, në interes të demokracisë shqiptare”.

Opinion i komisionit të Venecias pritet të miratohet në 14 dhjetor  e  deri atëherë do të qartësohet nëse  palët do të lexojnë ato fjali të opinionit që shtrojnë rrugën për kompromis apo ato paragrafe që i ndihmojnë të ruajnë llogoret politike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *