Finalizohet operacioni policor i koduar “Double 3”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.

 

Në kuadër të të këtij operacioni u vu në pranga shtetasi: K. M., 27 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

 

Në dalje të Bypass-it Himarë, shërbimet e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, i kanë bërë shenjë për të ndaluar shtetasit K. M., i cili drejtonte automjetin tip furgon. 27-vjeçari nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, por është larguar me shpejtësi.

 

Menjëherë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit që drejtohej nga 27-vjeçari dhe kanë evidentuar disa metra më tutje, automjetin tip furgon, të braktisur.

 

Gjatë kontrollit në automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 33 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit.

 

Në vijim të operacionit, pas shkëmbimit të informacionit me DVP në qarqe dhe falë një pune të mirëkoordinuar policore, pas disa orësh nga braktisja e automjetit, në Laprakë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.5, Tiranë, është bërë e mundur kapja e shtetasit K. M.

 

Gjithashtu gjatë kontrollit fizik të tij iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi e dyshuar lënde narkotike e llojit kokainë.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *